Dogana thotë se nuk ka zhdoganuar pajisje përgjimi

Drejtoria e Doganave duket se nuk ka asnjë dijeni për hyrjen e pajisjes së përgjimeve në Shqipëri. Në përgjigje të kërkesës zyrtare të Prokurorisë, mësohet se Drejtoria e Doganave ka kthyer përgjigje zyrtare, ku shprehet se nuk është identifikuar apo zhdoganuar një pajisje e tillë në pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë. Përgjigja ka ardhur pas kërkesës që Prokuroria ka bërë në lidhje me praktikën e hyrjes së pajisjes së sjellë nga Italia në Shqipëri, shkruan “Panorama”. Gjatë tri ditëve të fundit, Prokuroria ka marrë në pyetje disa agjentë të Forcave Lëvizëse Operacionale të Policisë së Shtetit. Ata kanë marrë pjesë në seancat e trajnimit me pajisjen nga instruktorët italianë. Mësohet se gjatë deklarimeve në Prokurori, efektivët e Policisë kanë deklaruar se gjatë trajnimit ekspertët italianë nuk lejonin që pajisja të përdoret pa prezencën e tyre. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në datën 13 maj për akuzën “shpërdorim detyre”, në lidhje me përdorimin e dyshuar të pajisjes së përgjimeve dhe futjen e saj në Shqipëri pa njoftuar autoritetet ligjore të vendit tonë. Ligji e kërkon që hyrja e një pajisjeje të tillë të bëhet me njoftim dhe me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm.

Artikulli paraprakMinistria e Mbrojtjes nuk dha leje për përgjimet
Artikulli tjetërProkuroria: Letra nga Italia për pajisjen e përgjimit e pavlerë, nuk ka firmë dhe vulë