Lirimi i Lul Berishës, dosja shkon në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë vendos të kalojë në shqyrtim rekursin e Prokurorisë kundër vendimit që liroi me kusht nga qelia ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ai u lirua një vit më parë nga Apeli i Durrësit, kur i kishin mbetur më pak se 5 vite dënim për të kryer.
Në përfundim të fazës së studimit të dosjes në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Lartë është dalë në përfundimin se çështja duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Kalimi i këtij filtri ka shmangur arkivimin e dosjes, siç do të ndodhte nëse Gjykata do të vendoste mospranim ankimi që në Dhomën e Këshillimit. Në ditët në vijim, Kolegji Penal pritet të caktojë një datë për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë mbi vendimin që liroi Berishën.
Vetëm pak ditë më parë treshja e gjykatësve, firmosi ta kalojë në seancë, me argumentin se ka shkaqe për t’iu nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Dhoma e Këshillimit, është filtri i parë që çdo çështje duhet të kalojë në Gjykatën Supreme. Në rastin e Lulzim Berishës është vendosur që dosja të kalojë për gjykim dhe jo të mbyllet me mospranim rekursi, çka do të ishte arkivim përfundimtar i çështjes.
Tashmë, Kolegji Penal me relator Artan Zenelin, duhet të caktojë datën për zhvillimin e procesit, në përfundim të të cilit do të vendosë nëse ishte apo jo i drejtë verdikti i Apelit të Durrësit për lirimin me kusht të të dënuarit për vrasje.
Pas dhjetë vitesh qëndrimi në qeli, Lulzim Berisha rifitoi lirinë me kusht në dhjetor të 2016. Për lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Apeli, mori në konsideratë garancinë për punësim të ofruar për të dënuarin nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Lirimi nga qelia i ish-kreut të bandës së Durrësit shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik. Nga ana tjetër, Prokuroria nisi hetim për dy nga zyrtarët e burgut ku ai vuante dënimin.

Artikulli paraprakVrasja e policit të RENEA-s, i penduari ndryshon dëshminë
Artikulli tjetërHotel “Rogner” hap dyert për fëmijët me autizëm…