Edi apo Edvin? Rama i ka dhënë përgjigje kësaj pyetjeje në formularin e dekriminalizimit. Pyetjes nëse ai ka pasur gjeneralitete të mëparshme, Rama i përgjigjet se ka pasur emrin Edvin deri më 27 nëntor të vitit 2002. Ndryshimi i emrit të Edvinit është bërë vetëm pak muaj pasi Rama ka hyrë në Bashkinë e Tiranës. Ai asnjëherë nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes se përse ka ndryshuar emrin. Madje, ai as nuk ka pranuar që të ketë pasur një emër tjetër.
Kryeministri i Shqipërisë mund të jetë i vetmi në botë që ka ndryshuar gjeneralitetet dhe nuk ka dhënë asnjëherë shpjegim për këtë.
Ndryshimi i emrit është një e drejtë e kujtdo në bazë të ligjeve dhe ajo mund të bëhet në zyrat e gjendjes civile. Mirëpo në Shqipëri ndryshimi i emrave gjatë këtyre 25 viteve nuk ka ndodhur kryesisht për shkak se nuk i kanë pëlqyer emrat që i kanë vendosur prindërit e tyre, por për të fshehur njollat e të shkuarës së tyre.
Rama është kështu i pari në bandën e gjatë të emrave të kësaj mazhorance që kanë tentuar të fshehin emrat dhe mbiemrat e tyre. Për të gjithë deputetët, kryetarët e bashkive dhe të zgjedhurve të tjerë nga bota e krimit në administratë, ndryshimi i emrave ka ndodhur për shkak të implikimit të tyre në krimin e organizuar, në vrasje, trafiqe droge dhe prostitucioni apo vjedhje vilash.
Në rastin e Ramës duhet një sqarim ligjor dhe i verifikuar se përse ai ka vendosur që të ndryshojë emrin nga Edvin në Edi. Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Prokuroria duhet që në bazë të gjurmëve të gishtërinjve të kërkojë nga autoritetet franceze të dhënat e plota për të shkuarën e Ramës, pasi në dosjen e tij ai figuron si trafikant ikonash në Francë. A është ndaluar ndonjëherë Rama në Francë nga policia e këtij vendi për trafikun e ikonave?
Akuzat e Nanos
Gjatë fushatës për katharisis brenda PS, Nano e akuzoi Ramën si një shitës i ikonave të vjedhura në Paris. “E gjeta duke shëtitur me thonj të paprerë në Paris dhe duke shitur ikona të vjedhura”, u shpreh Nano në atë kohë. Kjo deklaratë e Nanos në atë kohë dhe ndryshimi i emrit nga Edvini vetëm katër vite pas mbërritjes në Shqipëri meriton të zbardhet në mënyrë ligjore dhe për këtë Prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese nuk kanë përse të tërhiqen.
Deklarata nuk është bërë në atë kohë nga kryetari i PD, por nga ish-kreu i PS dhe Kryeministri i kësaj partie, i cili pasi e mori me thonj të paprerë dhe si shitës të ikonave të vjedhura, e bëri Ramën ministër Kulture. Burime konfidenciale të njerëzve që kanë njohur Ramën në Paris dëshmojnë se, Rama është ndaluar të paktën dy herë nga policia franceze për shitjen e ikonave të vjedhura, ndërsa nuk saktësohet nëse Edvini është penalizuar nga autoritetet franceze, ndaj kërkohet edhe verifikimi i plotë nga Prokuroria. Nëse kemi të bëjmë me një fshehje të këtyre të dhënave, atëherë Rama rrezikon burgun si shumë nga banditët dhe kriminelët e tjerë që kanë mashtruar me formularët e dekriminalizimit.
Akuzat e Gjergji Thimos
Koleksionisti Gjergji Thimo akuzoi nga salla e gjyqit Kryeministrin Edvin dhe deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima se ata ishin hakmarrë ndaj tij për shkak se ai kishte refuzuar që t’i jepte pikturën origjinale të Onufrit, të cilën Kryeministri donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të tij, ish-Kryeministrit britanik, Toni Blair.
“Akuzat ndaj meje ishte trillim. Refuzova të jepja një pikturë origjinale të Onufrit. Piktura që kushtonte 1 milion euro ma kërkoi deputeti Koço Kokëdhima, Artan Lame dhe Kryeministri Edi Rama. Pikturën donin t’ja jepnin dhuratë ish-Kryeministrit të Britanisë, Toni Blair. Pas refuzimit tim për t’u dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi sepse nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”, ishte dëshmia e Gjergji Thimos.
Gjergji Thimo, i njohur si koleksionist i veprave të artit, u arrestua në tetorin e vitit 2013, i akuzuar për trafik të veprave të artit.
Thimo tha se Koço Kokëdhima e kishte kërcënuar dhe i kishte thënë se do t’ia merrte koleksionin e çmuar me çdo lloj mënyre.
Pasioni i Ramës për ikonat e vjedhura është e vjetër, të paktën që në vitin 1998.
Kur bëhet fjalë për tregtim të ikonave të vjedhura sikurse dëshmonte Nano për Ramën, atëherë kemi të bëjmë me një trafik të pastër të këtyre veprave të artit. Si një trafikant i vjetër i këtyre ikonave të vjedhura, Rama e ka ditur shumë mirë vlerën e këtij thesari që dispononte koleksionisti Thimo. Vetë ky i fundit ka kërkuar disa herë, që ta takojë gjatë kohës që ishte ministër Kulture për t’i kërkuar hapjen e një muzeu, ku të strehonte këto ikona të lashta dhe Rama sikurse dëshmon edhe bashkëshortja e tij, pavarësisht se na njihte nuk na ndihmoi asnjëherë.
Ekspozita në Gjermani me ikonat që nuk e kthyen më
Ish-Kryeministri Berisha ka dhënë detaje të reja në lidhje me aferën e ikonave të Ramës përgjatë kohës që ai ka qenë ministër Kulture në vitin 1998. “Pasi u bë ministër Kulture, Edi Rama hapi në Gjermani një ekspozitë të madhe me ikonat më të çmuara të fondit shtetëror, disa prej tyre të dekoruara me gurë të çmuar dhe me vlerë të pallogaritshme. Pas mbylljes së ekspozitës asnjë prej ikonave nuk u kthye kurrë më në Shqipëri. Dihet se ato udhëtuan për në Francë dhe u zhdukën pa lënë gjurmë”, ka qenë deklarata e Berishës.
Rama rrëmbeu dhe transportoi në drejtim të paditur mbi 1200 ikona, shumë prej tyre mesjetare me vlerë mbi 1.3 milionë euro të ruajtura në Galerinë e Arteve dhe të konfiskuara nga Rama koleksionistit Gjergji Thimo. Edi Rama është akuzuar si vjedhës ikonash të grumbulluara nga bllokmenët gjatë gjenocidit kulturor të diktatorit Hoxha. I ati i Edi Ramës ka qenë një ndër arkitektët kryesorë të gjenocidit kulturor të diktatorit Enver Hoxha ndaj kombit shqiptar.
Arben SHAHINI