Real Madridi do të përballet me Barcelonën të shtunën dhe madrilenët janë të detyruar të fitojnë. Ndërkaq, Gareth Bale shpreson ta shfrytëzojë këtë “El Clasico” si një mundësi për të çimentuar zgjatjen e qëndrimit të tij në klubin mbretëror madrilen. Kampionët në fuqi të La Liga-s janë të katërtit në renditjen e deritanishme, 11 pikë mbrapa kryesueses Barcelona. Ata kanë lënë pikë në gjashtë nga 15 ndeshjet e luajtura. Bale ka munguar në pjesën më të madhe të ndeshjeve të kësaj faze për shkak të një serie dëmtimesh. Këto probleme iu kanë hapur rrugë spekulimeve se klubi po dëshiron ta shesë atë. Tani është kthyer i uritur, për të shfrytëzuar një tjetër shans, për të treguar se e meriton një vend në vijën sulmuese të Zinedin Zidane. Por a do të ketë?! Nuk është dhe aq e sigurtë nëse atij do t’i jepet kjo mundësi të shtunën.
Ndërkohë, Vinicius Junior ka provuar shijen e parë të jetës që e pret te Real Madrid, pasi ka udhëtuar për në kryeqytetin spanjoll për t’u takuar me trajnerin Zinedine Zidane dhe ata që do të jenë shokët e tij në të ardhmen. Ende futbollist i Flamengo, Vinicius po shijon pushimet sepse sezoni në Brazil është mbyllur para kohe. Ai bëri një vizitë në qendrën stërvitore të Real Madrid dhe sipas gazetës “Marca”, 17-vjeçari do të jetë prezent në “Santiago Bernabeu” për të ndjekur ndeshjen “El Clasico” kundër Barcelonës.
Sulmuesi u pa në aeroportin e Rio de Zhaneiro bashkë me babanë, vëllanë dhe xhaxhanë, që e shoqëruan në udhëtimin e tij në Madrid. Në qershorin e ardhshëm, kur të ketë mbushur 18 vjeç, Vinicius do të transferohet nga Flamengo te Real Madrid për 50 milionë euro.