Marrëveshja e Balilit me grekët për trafikun e drogës u bë në Fier

Gazeta greke “Kathimerini” ka botuar këtë të premte një tjetër shkrim për rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike të drejtuar nga Klement Balili. Aty jepen pjesë nga dosja hetimore e policisë greke mbi përgjimet dhe mënyrën si funksiononte ky rrjet. Njëri nga shtetasit grekë të arrestuar për trafikun e 700 kg hashash ka pranuar se drogën e ka marrë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se marrëveshja për këtë transport droge është bërë në Fier me njerëzit e Klement Balilit. Gazeta greke “Kathimerini”, në një shkrim publikuar lidhur me procesin gjyqësor pas arrestimeve të rrjetit të trafikantëve të drogës, pas të cilit u shpall në kërkim edhe Klement Balili, raporton se të ndaluarit i mohuan akuzat. Ata i quajtën marrëveshjet e dyshimta si plane tregtare për eksport karpuzi dhe sufllaqesh në Holandë me të akuzuarit kryesorë të trafikut të hashashit nga Shqipëria për në Belgjikë e Holandë.
Para hetuesve, shumica e tyre nuk pranuan të kenë lidhje me trafikun e drogës dhe u përpoqën t’i justifikonin lidhjet e tyre dhe “vajtje-ardhjet” në Greqi, Shqipëri, Holandë e Belgjikë si veprimtari të ligjshme tregtare. 59-vjeçari Th. A, ose “Tom”, i cili sipas Policisë greke koordinonte nga Belgjika lëvizjet e hashashit, u shpreh para hetueses se, “qëllimi im ishte që të koordinoja importin e produkteve bujqësore dhe ushqimore nga Greqia dhe vendet e treta në Holandë. Për këtë kisha ardhur në kontakt me njerëz në Holandë, si z. Dhimitër P, si dhe me tregtarë grekë si Z. ….., importues karpuzi nga Killini”.
Ndërkohë, 56-vjeçari M.S, i cili akuzohet se modifikonte kamionët me vende të fshehta për transportin e drogës, u shpreh në lidhje me udhëtimet e tij në Holandë dhe kontaktet me të bashkëakuzuarin: “Z. A, e njoh prej 2005 për shkak të punës sime, sepse merresha me importin e makinave. Prej qershorit 2014, shkova në Holandë që të punoja në një fast-food sufllaqesh dhe ta bleja nëse shkonte mirë. Unë kam para nga shitja e makinave”.
Tjetër qëndrim mbajti para hetueses 46-vjeçari J.A, i cili sipas dosjes hetimore, kishte detyrën e magazinimit të drogës në Greqi para se të shkonin në Europën Qëndrore dhe Perëndimore. Ai pranoi përfshirjen në trafikun e 673 kg hashash përmes Zakinthos dhe tha emrat e 3 shqiptarëve, me të cilët, siç u shpreh, kishte rënë dakord për transportin e drogës. “Në fillim të 2015, shkova në Fier të Shqipërisë, ku njoha disa zotërinj me emrat…. Vura re një lehtësim të madh  ekonomik, pasi, siç më thanë, kishin një rrjet zinxhir taksish dhe restorantesh. Më pyetën nëse isha i interesuar të bëja një transport “të veçantë”.
Ndërkohë 33-vjeçari K.P, i cili ishte shofer në disa raste transporti droge, tha: “Njoha J.A para 5 vjetësh. Më ofroi të hapja kompaninë TSAF TRANS në Petrici të Bullgarisë. Në fillim kompania kishte veprimtari të ligjshme, ndërsa më vonë më kërkoi të transportoja hashash nga Shqipëria në Holandë”.
Ndërkohë, krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. “Tv Klan” informoi se, Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e  Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar.

Hetim i pasurisë së “Escobarit të Ballkanit”

Pasi u shpall në kërkim për llogari të autoriteteve greke, pasuria që Klement Balili zotëron në Shqipëri apo jashtë vendit është vënë nën hetim nga Prokuroria, Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe ILDKPI.
ILDKPKI pranon se ka urdhëruar dhe po kontrollon pasurinë e Balilit, i cili ka mbajtur për rreth dy vjet e gjysmë, detyrën e Drejtorit Rajonal të Transportit Rrugor Sarandë, raporton “Tv Klan”.
Balili thuhet se është pronar i një kompleksi të njohur turistik në Sarandë. Por në deklaratën e pasurisë, ai nuk ka të regjistruar një pronë të tillë.
Në deklaratën e fundit të dorëzuar më datën 21 mars të vitit 2015, rezulton se Balili ka para “cash” të kursyera, në vlerën e 3.3 milionë lekëve dhe 400 mijë lekë të përfituara nga shitja e një automjeti tip “Benz”. Ai ka deklaruar një banesë private në proces legalizimi në fshatin Stjar të Delvinës, me vlerë çmimi të papërcaktuar.
Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar se ka marrë hua pa interes, rreth 30 mijë euro, që djali i Balilit të fillojë shkollën jashtë vendit. I ashtuquajtur “Eskobari i Ballkanit”, Balili akuzohet si kreu i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, që transportonte sasi të mëdha marijuanë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, Italisë, Holandës e Belgjikës.

R.POLISI

Artikulli paraprakKush ka ndryshuar emrat dhe pse?
Artikulli tjetërBasha Fillimi i fundit për Perandorinë e Krimit