Sekuestrohen 101 kg drogë e armë nga Shqipëria në Greqi

Policia greke sekuestroi dje 101 kg drogë dhe një kallashnikov të futur nga Shqipëria. Operacioni u krye nga policia greke në Kallpaq të Janinës. Mësohet se mjeti në të cilin ishte ngarkuar droga vinte nga kufiri i gjelbërt dhe drejtohej nga një shtetas grek. 50-vjeçari u ndalua në flagrancë nga policia. Gjatë kontrollit u gjetën në sediljen e pasme të mjetit 65 pako me 101 kg marijuanë. Në makinë ishte fshehur edhe një kallashnikov, 200 euro dhe 2 celularë.
Policia greke ka asgjësuar pjesë nga sasitë e drogës së konfiskuar gjatë këtij viti. Në një nga furrnaltat e zonës së Beotisë, u dogjën 25 kilogramë heroinë, 27 kg kokainë, 300 kilogramë kanabis dhe 1,200 fidanë kanabisi. Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë greke, gjeneral leitnant Konstandinos Tsuvalas, që e cilësoi 2017-ën si një vit mjaft të suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës. Ai shtoi se 2018-ta do të shpallet si “viti kundër drogës”.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.

Artikulli paraprak5 shqiptarë kapen në Itali me 2.8 kg kokainë dhe 21 mijë euro
Artikulli tjetërPresidenti kundër Ramës tek Trump