Gazetari Basir Çollaku ka reaguar dje në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për lënien në burg të Orest Sotës. Përmes një reagimi në Facebook, Çollaku shprehet: “Gjykata lë sërish në burg Orest Sotën dhe pretendon se 863 mijë eurot e sekuestruara në makinën e tij janë të Saimir Tahirit.
Meqë kanë avokat të njëjtë thua mbrojtja po e mban Tahirin jashtë, duke iu “lutur” Sotës të pranojë ngarkesën dhe qëndrojë brenda?!?!
Meqë Prokuroria në mënyrë të përsëritur pretendon se paratë janë të Saimir Tahirit përse nuk bind Gjykatën me provë konkrete dhe të kërkojë arrestimin e Tahirit?
Po Ministria e Brendshme vazhdon të “kujdeset” për “kontributin” e Sotës dhe frikën ndaj Tahirit, duke i dhënë sërish ankandin për afër 270 mjete të sekuestruara me 165 euro mjetin?
Mesa duket shpresa e heqjes së sikletit nga dosja Tahiri është rrokada dhe ndryshimet në Prokurori?
Ndoshta Prokuroria ka lënë mënjanë një pistë të rëndësishme hetimore. Atë të investigimeve në çdo drejtori policie për drogën. Nga inspektorët tek eprorët deri tek ministri, duke plotësur ndjeshëm provat për trafikun ku dyshohet dhe akuzohet Tahiri i implikuar. Kjo do të sillte të pandehur ministrin dhe më tepër?”