Një 26-vjeçar ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur ditën e djeshme në tre aksidente automobilistike. Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme në Fier në afërsi të fshatit Baltëz, një makinë doli nga rruga dhe si pasojë drejtuesi i mjetit humbi jetën. “Shtetasi J.I, 26 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka goditur betonin e mbikalimit të autostradës. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit”, sqaron policia. Policia dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
Ndërkohë, dy efektivë policie u përfshinë në një aksident paraditen e djeshme pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Nga të dhënat paraprake mësohet se një i moshuar u ka prerë rrugën efektivëve që ecnin me motorë. Për shkak të devijimit, ata janë përplasur me një makinë “Benz” të parkuar dhe më pas motori është përmbysur. Aktualisht mësohet se dy efektivët janë në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, një aksident ka ndodhur në hyrje të qytetit të Burrelit, ku dy automjete janë përplasur midis tyre. Për pasojë, një person ka përfunduar në spital. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë të lënduar si pasojë e përplasjes së automjeteve. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.