Dinamikat e popullsisë për vitin 2015 tregojnë për një zhvendosje të popullsisë drejt zonave urbane, por kjo tendencë rezulton të jetë më e theksuar për femrat, sipas një raporti të fundit të INSTAT. Kështu 57,2% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 42,8% jeton në zonat rurale. Zonat urbane janë më shumë të populluara nga femrat, 54,4% e popullsisë urbane janë femra. Ndërkohë në zonat rurale jetojnë më shumë meshkujt, këto zona janë të populluara nga meshkujt me 53,1% e popullsisë së tyre, vë në dukje INSTAT. Kjo shpjegohet dhe nga lëvizjet e brendshme të popullsisë, të cilat kanë qenë më shumë të orientuara nga zonat rurale në ato urbane dhe kryesisht për femrat, shpjegon Instituti i Statistikës në raportin përmbledhës. Nga lëvizjet e brendshme të vitit 2015 rezulton se 57,5% e popullsisë së larguar janë femra. Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2015 është 37,2 vite. Për meshkujt mosha mesatare është 36,4, ndërkohë për femrat është 37,9 vite. Mosha mesatare më e lartë tek femrat shpjegohet pasi femrat kanë jetëgjatësi më të lartë. Për vitin 2015 jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Kjo do të thotë se femrat jetojnë mesatarisht 3,6 vite më shumë se meshkujt. Popullsia e Shqipërisë vazhdon të jetë në rënie. Krahasuar me një vit më parë rënia është 0,24% në total, respektivisht shënohet një rënie 0,05% për meshkujt dhe 0,44% për femrat. Shtesa natyrore për të dy gjinitë është afërsisht e njëjtë. Rënia ka ardhur kryesisht nga migracioni neto, i cili është negativ dhe është më i lartë për femrat. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej është 51% meshkuj dhe 49% femra.
Lindjet
Numri i lindjeve gjatë vitit 2015 është afërsisht 32,7 mijë lindje. Raporti gjinor në lindje është 1,1 që tregon se në 100 lindje vajzash lindin 110 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 1,06 që tregon një preferencë për lindjet e gjinisë mashkullore. Në vlera absolute rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2014 është afërsisht 3 mijë lindje. Për lindjet meshkuj kemi një rënie 8%, ndërkohë për lindjet femra rënia është 9%. Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), i cili është një tregues i standardizuar që tregon numrin mesatar të fëmijëve që një grua në moshë riprodhuese pritet të lindë, për vitin 2015 shënon 1,67 fëmijë. Kjo do të thotë 100 femra pritet të lindin 167 fëmijë nëse normat e lindshmërisë sipas grupmosha janë këto të vitit referues, 2015. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit, 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Nëse shohim lindshmërinë sipas grupmoshave, lindshmëria ka rënë për të gjitha grupmoshat, por kryesisht kjo rënie ka qenë më e madhe për grupmoshat e mëdha 40-44 vjeç, gjë e cila ka sjellë një rënie të lehtë të moshës mesatare në lindje. Në vitin 2015 femrat lindin mesatarisht 26,7 vjeç, krahasuar me vitin 2014 ku kjo moshë ishte 27,2 vjeç.
Martesat
Gjatë vitit 2015 në vendin tonë janë regjistruar rreth 25 mijë martesa. Tek femrat më shumë se 50% e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç. Kjo shpjegon dhe moshën relativisht në martesë për femrat, e cila është 24,1 vjeç. Ndërkohë martesat sipas grupmoshës për meshkujt paraqiten 63% e martesave te meshkujt realizohen deri në moshën 24 vjeç dhe 86% e martesave për këtë gjini realizohen deri në moshën 29 vjeç. Mosha mesatare e martesës për meshkujt është 29,6 vjeç. Një tregues interesant është nomrat e martesave sipas grupmoshave ndër vite. Shohim se kemi një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e lehtë të moshës mesatare në martesë të vajzave. Krahasuar me 10 vite më parë femrat martohen relativisht një vit më të mëdha. Ky ndryshim është relativisht i ngadaltë, por kjo sjellje vihet re me të njëjtin trend për të dy gjinitë.