Gjurmët e gishtërinjve, zbardhen emrat e dytë të dy deputetëve që vidhnin në Itali

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte në Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj.
Më 3 nëntor të atij viti është raportuar në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996.
Këto fakte të fshehura u zbuluan nga hetimi i thelluar, ndërkohë që deputeti i PDIU-së e kishte detyrim ligjor të tregonte në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale apo nëse ka qenë ndonjëherë i ndaluar, apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale. Përgjigja e tij në formular ka qenë “Jo”.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, me të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani”, bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Këto të dhëna kanë dalë vetëm nga verifikimet në shtetin italian, i cili edhe në rastet e tjera është përgjigjur shumë shpejt, ndërsa mësohet se të dhëna janë kërkuar edhe në vende të tjera europiane.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë njohur të mërkurën me konkluzionet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa mbledhja pritet të mbahet më 3 janar.
Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi KQZ-së t’i heqë mandatin dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledjon Rehovica i LSI-së.

Shkresa e Prokurorisë

Nga krahasimet e gjurmëve të bëra nga Interpol Roma, rezulton se deputeti Aqif Rakipi është raportuar në vitin 1998 për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur në Itali, teksa përdorte një identitet tjetër atë të: Skënder Ejylbegaj. “Ka rezultuar se 03.11.1998 është raportuar për veprat penale të marrjes së mallrave të vjedhur, me gjeneralitetet Skënder Ejylbegaj lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjeneralitetet Aqif Rakipi lindur më 01.04.1964, informacion të cilin rezulton të mos e ketë deklaruar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit”, thuhet në raport. Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Rahovica i LSI-së ka mbajtur një tjetër emër në Itali dhe se zbulimi i është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim rezulton të ketë mbajtur emrin Kusta Mina dhe është akuzuar për vjedhjen e një dyqani në shtetin fqinj në 27.02.1999. “Me shkresën nr 2001/ 40 KL prot. datë 22. 12. 2017 zyra Qendrore Kombëtare e Interpol na informon se nga Interpol Romë në Itali, pas krahasimit të gjurmëve të gishtave ka rezultuar si më poshtë: Gledion Rehovica është raportuar më datë 27.02.1999 për veprën penale vjedhje dyqani me gjeneralitetet Kusta Mina lindur më 21.12.1978 në Shqipëri”, sqaron Prokuroria.

Dy deputetët, Rakipi dhe Rehovica kallëzohen edhe tek Krimet e Rënda

Dy deputetët, Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rehovica i LSI kallëzohen penalisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kallëzimi u bë sot nga Drejtoria e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme për falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit. Dje Prokuroria përmes një letre drejtuar KQZ kërkonte heqjen e mandatit për dy deputetët që sipas saj, preken nga ligji i dekriminalizimit. Në dokumentet e Prokurorisë drejtuar KQZ rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtave të deputetëve me bazën e shenjave të gishtave të INTERPOL është zbuluar se ata kanë pasur precedent dhe identitete të tjera në Itali. Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Rehovica i LSI-së rezulton të ketë mbajtur një tjetër emër në Itali dhe se zbulimi i është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Rehovica rezulton të ketë mbajtur emrin Kusta Mina, dhe është akuzuar për vjedhjen e një dyqani në shtetin fqinj në 27.02.1999.

Artikulli paraprakProtestë pa kthim e shumicës së ndershme kundër pakicës së kriminalizuar
Artikulli tjetërSHBA: Sanksione kundër dy zyrtarëve të lartë verikoreanë