Xhaka pozon me fanellën e Arsenalit

Arsenali bën goditjen e parë në merkato. Sezoni i mbyllur poshtë pritshmërive e detyron trajnerin Arsene Wenger të bëjë modifikime të mëdha në grupin e tij dhe puna nis nga mesfusha. Është Granit Xhaka emri i parë që i bashkohet skuadrës londineze. Ish-lojtari i Borussia Monchengladbach mbërriti në Londër ku kreu testet mjekësore dhe më pas hodhi firmën në kontratë dhe më pas pozoi me fanellën e klubit anglez. Arsenali do të derdhë 30 milionë paund në arkën e klubit gjerman për transferimin e lojtarit me origjinë shqiptare. Në rast se shifra e blerjes konfirmohet, atëherë Xhaka do të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjë për Arsenalin pas blerjes së Ozil nga Reali i Madridit për 42 milionë paund.
Në rastin e 23-vjeçarit të kombëtares së Zvicrës, trajneri Arsene Wenger këmbënguli që blerja të finalizohej përpara Euro 2016 pasi me shumë mundësi, vlera e kartonit të tij do të rritej edhe më shumë. Në garën për t’u bashkuar me “Topçinjtë”, Xhaka ka arritur të fitojë ndaj talentit të Leiçester, Kante, i cili zhvilloi një sezon spektakolar. Xhaka u transferua nga Beseli te G’ladbach në vitin 2012 për rreth 9 milionë euro dhe me fanellën e ekipit të 17-vjeçarëve të Zvicrës ai u shpall kampion bote.

Artikulli paraprakMediu: Reformë për zgjedhje të lira dhe të ndershme
Artikulli tjetërArbitra italianë për finalen Laçi-Kukësi