Dy shqiptarë u arrestuan me 18.3 kilogramë heroinë në Athinë. Atyre iu gjetën 64 kg përzjerës kimikë për heroinën, si dhe 95 gramë kokainë. Sipas policisë greke dyshohet se prej këtij aktiviteti, dy të arrestuarit kishin përfituar shuma të mëdha parash, të cilat investoheshin në prona të patundshme në Shqipëri. Ata u dërguan në Gjykatë, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Aksioni u ndërmorr në Drapetsona, në Athinë. Mësohet se sasia e drogës u sekuestrua në banesë, në të cilën u gjetën 95,8 gr kokainë, 64 kg substancë në trajte pluhuri që përdoret si përzierës i heroinës. Po ashtu shqiptarëve, 37 dhe 48 vjeç, iu sekuestruan edhe 540 euro si dhe 5 celularë. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e plotë të rrjetit kriminal.
Para dy ditësh policia greke sekuestroi 101 kg drogë dhe një kallashnikov të futur nga Shqipëria. Operacioni u krye nga policia greke në Kallpaq të Janinës, ndërsa mjeti në të cilin ishte ngarkuar droga vinte nga kufiri i gjelbërt dhe drejtohej nga një shtetas grek. Gjatë kontrollit u gjetën në sediljen e pasme të mjetit 65 pako me 101 kg marijuanë. Në makinë ishte fshehur edhe një kallashnikov, 200 euro dhe 2 celularë.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.