Florenc Beqiraj, 23-vjeçari që vdiq në rrethana misterioze në Francë po kthehet për t’u prehur përgjithmonë në vendlindjen e tij në Shkodër. Trupi i pajetë i të riut doli nga morgu i Marsejës i mbuluar me flamurin kuq e zi dhe i shoqëruar nga përfaqësues të familjes, mes të cilëve edhe i ati, i cili qëndronte prej ditësh në Francë.
Kortezhi është nisur tranzit drejt Gjermanisë në rrugë tokësore dhe prej andej do të mbërrijë të enjten në Rinas me avion. Burimet thonë se, trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet edhe një ekspertize mjeko-ligjore në Shqipëri në funksion të zbardhjes së shkaqeve të vdekjes. Ai do të përcillet drejt banesës së fundit në Shkodër, ku familja Beqiraj ka hapur dyert e mortit prej ditës që mësoi vdekjen e të birit!
Të gjitha shpenzimet janë marrë përsipër nga qeveria shqiptare, që siç bëri të ditur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë vizitës në familjen Beqiraj po bashkëpunon ngushtë me autoritet franceze për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes. Vdekja në rrethana ende të mistershme, që po hetohet nga autoritetet franceze ngjalli reagime të forta dhe protesta.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak në Shkodër miratoi vendimin për dhënien e një ndihme financiare prej 500 mijë lekësh për familjen e Florenc Beqirajt. Vendimi është marrë unanimisht nga Këshilltarët e Bashkisë së Shkodrës.
Sipas ministrisë së Jashtme më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij në Qendrën e Ndalimit Administrative në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez. Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e Florenc Beqirajt. Trupi i tij u transportua në pavijonin e mjekësisë ligjore të Marsejës më 23 dhjetor, dhe po i kryhet autopsia. Familjarët kanë dyshime se Florenci është vrarë.
Dhjetëra qytetarë të Shkodrës protestuan një ditë më parë për vdekjen e të riut Florenc Beqirajt në Marsejë të Francës. Me parulla ku shkruhej “Duam drejtësi për shokun tonë”, qytetarët marshuan nga lagjja “Liria” drejt qendrës së qytetit duke kërkuan dorëheqjen e ambasadorit shqiptar ne France, Dritan Tola, pasi sipas tyre nuk ka reaguar siç duhet në lidhje me ngjarjen.Protestuesit kërkuan gjithashtu doreheqjen e ambasadorit shqiptar në Francë Dritan Tola, pasi sipas tyre përfaqësia diplomatike nuk bëri asgjë për rastin tragjik të të riut.