Kujdes Atletikon!

Sergio Ramos mendon se Real Madridi duhet të luajë si ekip në finalen e Milanos nëse duan ta fitojnë sërish Ligën e Kampionëve. Saktësisht pas dy viteve, kur Real Madridi fitoi La Deciman, kishte përballë pikërisht kundërshtarin që do ta kenë të shtunën e 28 majit në finalen e Milanos, Atletico Madridin.
Reali fitoi La Deciman me shumë vështirësi, duke shënuar golin e barazimit në minutën e 93-të. Teksa shënuan edhe tre të tjerë vetëm pas vazhdimeve. Për këtë, kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e di se sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje, sipas të cilit mund të fitohet vetëm nëse luajnë si ekip. “Duhet të luajmë si ekip si asnjëherë më parë dhe të mbrohemi mirë”, deklaroi Ramos për faqen zyrtare të UEFA-s.
“Ne e kemi merituar që të jemi këtu, duke parë kundërshtarët e vështirë që kemi pasur në grup e pastaj edhe atë humbjen 2:0 ndaj Wolfsburgut e që duhej një ‘Remontada’ për të kaluar në fazën tjetër. Po ashtu edhe Atletico e ka merituar që të jenë në finale, eliminuan dy klube tejet të forta”, ka shtuar Ramos.
“E njohim shumë mirë njëri-tjetrin, ata janë shumë të fortë fizikisht dhe kanë krijuar një skuadër të fuqishme. Andaj duhet të jemi të kujdesshëm pasi finalet pothuajse gjithmonë janë vendosur nga detajet e vogla”, ka deklaruar Ramos.
Ndërkohë, Real Madridi ka përgënjeshtruar zërat për shitjen e James Rodriguez. Dukej shumë pranë një lamtumire që jepej si e sigurt, por ngjarjet kanë marrë rrjedhë tjetër nga ajo që parashikohej dhe sipas të gjitha gjasave James Rodriguez do të mbetet në Madrid edhe për sezonin e ardhshëm.
Siç bën të ditur në edicionin e printuar të së shtunës e përditshmja madrilene “Marca”, Reali i Madridit ka vendosur që të konfirmojë James pavarësisht sezonit të vështirë që ka përjetuar kolumbiani. Në shtëpinë e Los Blancos nisën të merrnin në konsideratë të ardhmen e kolumbianit rreth 3 muaj më parë, pas disfatës zhgënjyese në derbin me Atleticon e Madridit në “Santiago Bernabeu”.
Pas një reflektimi të gjatë krerët e klubit merengues i kanë komunikuar agjentit të famshëm portuges Jorge Mendez që veç James Rodriguez menaxhon dhe disa nga lojtarët kryesorë të Realit të Madridit si Cristiano Ronaldo apo Pepe, se nuk do të lejojnë largimin e James, ndërkohë që vetë agjenti ishte duke punuar për t’i gjetur një destinacion të ri dhe ishte në tratativa me Juventusin dhe disa klube të Premier League duke u përpjekur të gjente zgjedhjen më të mirë për kolumbianin.

Artikulli paraprakShaqiri: Qëndroj tek Zvicra, nuk e kam menduar largimin
Artikulli tjetërLargimi i Hummels, humbje për Dortmund