Deputeti demokrat, Eduard Halimi deklaron se dorëzimi i kryeprokurorit tek kryeministri, si akti i parë i Reformës në Drejtësi është degradim i shtetit të së drejtës. Përmes një statusi në profilin e tij, në rrjetin social Facebook, Halimi thekson se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund zhbërjes së shtett të së drejtë është një reagim i fortë brenda dhe jashtë Parlamentit.
“Caktimi i Prokurorit të Përgjithshëm nga Kryeministri dhe nga Partia Socialiste në pushtet, në mënyrë antikushtetuese me kundërshti të forta të opozitës është një ditë e keqe për shtetin ligjor dhe demokracinë.
Kjo nuk është një çështje mes opozitës dhe qeverisë: është çështje e gjithë shqiptarëve.
Kur kryeministri cakton i vetëm Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, ai ka mundësi të ndërhyjë në hetime.
Dorëzimi i Prokurorisë tek Kryeministri është degradim i Reformës në Drejtësi që u votua me 140 vota. Se si e degradon drejtësinë Kryeministri mjafton të shohësh si shembull degradimin që i bëri Parlamentit dhe politikës me futjen e personave me rekorde të tmershme kriminale. Shembull për këtë është degradimi që i bëri policisë, duke e vënë në shërbim të klaneve të drogës. Shembull për këtë është shdërrimi i Shqipërisë në Kolumbi të Europës. Shembull për këtë është si u arrestua komisar Zagani dhe u ndihmua familja kriminale Habilaj të trafikonte drogë, duke i fikur radarët.
Shembull është degradimi që i bëri sistemit politik në proçesin zgjedhor me kontratën me krimin si instrument për të blerë zgjedhjet e mbajtur pushtetin.
Ndaj dorëzimi i kryeprokurorit tek kryeministri si akti i parë i Reformës në Drejtësi është degradim i shtetit të së drejtës, dhe jo çështje e 140 deputetëve.
Rruga e vetme pas asaj që ndodhi në Parlament është reagimi më i fortë.
Më i forti që opozita ka ndërmarrë në këto 5 vjet. E vetmja rrugë”, deklaron Halimi.