“Guardia di Finanza” në ndjekje të gomones me drogë nga Shqipëria

Guardia di Finanza është vënë në ndjekje të një gomoneje me drogë të nisur nga Shqipëria. Burime nga Policia Kufitare bënë të ditur se, Guardia di Finanza është vënë në ndjekje të gomones me drogë që prej orës 16:00 të ditës së djeshme. Sipas të njëjtave burime, mjeti lundrues dyshohet se është nisur nga Karaburuni dhe ka për destinacion brigjet italiane. Bëhet e ditur gjithashtu se, gomonia është ndjekur fillimisht nga Guardia di Finanza në ujërat territoriale të Italisë, e më pas ka kaluar ujërat territoriale shqiptare dhe ka hyrë sërish në ato italiane.
Operacioni ka vijuar përgjatë gjithë natës së mbrëmshme për ndalimin e gomones në bordin e së cilës dyshohet se janë dy persona. Gomonia po ndiqet në Jug të Italisë. Në aksionin e kapjes së gomones përveç Guardia di Finanzas është përfshirë edhe policia shqiptare. Policia e Vlorës bëri të ditur se, në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Bristan”, midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 28 kg lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.
Natën e Vitit të Ri policia italiane bllokoi një gomone me 800 kg drogë. Gomonia ishte nisur nga brigjet shqiptare. Gjatë operacionit janë arrestuar tre shqiptarë. Gomonia me drogë në Itali u kap në zonën e Salentos. Avioni i Guardia di Finanza u vu në ndjekje të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut. Në bordin e saj janë ndaluar tre shtetas shqiptarë. Gomonia rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo ishte e ngarkuar me lëndë narkotike të llojit marijuanë.
Italia ka publikuar shifra alarmante të kapjes së shtetit nga mafia. Guardia di Finanza vlerësoi se, në Shqipëri çdo vit janë prodhuar më shumë se 900 ton për një qarkullim total prej 4.5 miliardë euro, ose një e treta të PBB-së së Shqipërisë. Fshatarët braktisin tokat e tyre masive, duke preferuar të punojnë në këto plantacione.

Shqiptari kapet në Itali me një “super-market” kokaine

Një supermarket i vërtetë droge u zbulua nga policia italiane, ndërsa në pranga përfunduan një shqiptar dhe një rumune. Arrestimet janë kryer në Brescia Trenzano, ku policia është vënë në gjurmët e dy të huajve të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin e shitjes së drogës. Pas kontrolleve të ushtruara në trupin e shqiptarëve, u gjetën disa gram marijuanë si dhe një dyzinë eurosh të ardhura nga aktiviteti i jashtëligjshëm.
Kontrolli më pas është shtrirë në Coccagli, në shtëpinë e tyre ku janë gjetur 32 doza kokainë të gatshme për t’u shitur, 65 gram marijuanë, si dhe mbi 4 mijë euro, përveç disa telefonave celularë të përdorura për të komunikuar me klientët. Shqiptari është vendosur në masën e sigurisë arrest shtëpie deri në përfundim të veprimeve, ndërsa për vajzën është vendosur masa e sigurisë “detyrim me paraqitje”.
Ndërkohë, një tjetër 40-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë kokaine. Hetimet nisën në fillim të dhjetorit, kur mes njoftimeve të fqinjëve dhe më pas vëzhgimeve të policisë, vunë re lëvizje të çuditshme në një shtëpi në Ardenza. Atje jetonte një 40-vjeçar shqiptar dhe partnerja e tij rumune 24- vjeçare banuese në Pisano. Shtëpia frekuentohej kryesisht nga emigrantë të shumtë brenda një periudhe të shkurtër, çka ngritën dyshimet.
Kjo çoi në vëzhgimin e banesës, ku identifikuan ata që hynin atje dhe zbuluan që shtëpia ishte kthyer në bazë të trajtimit të drogës. Mëngjesin e së enjtes, i ndihmuar edhe nga qentë antidrogë, policia u vu në aksion ku gjeti 350 gram heroinë, e fshehur në një zarf brenda një qese plehrash.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe materiale për paketimin e dozave të drogës, peshore, makineri si dhe dy telefona BlackBerry të përdorur për të komunikuar me klientët.
Zakonisht, këta telefona konsiderohen paksa të vështirë për t’u përgjuar. Gjithashtu, policia ka gjetur edhe bizhuteri dhe mbi 2500 euro para të gatshme, të ardhura nga veprimtaria e shitjes së drogës. Mediat italiane bëjnë me dije se ka përfunduar në pranga 40-vjeçari shqiptari Aurel Zhupa, nën akuzën e posedimit me qëllim trafikun e drogës, ndërsa partnerja e tij po ndiqet penalisht në gjendje të lirë si bashkëpunëtore.

Artikulli paraprakShqiptarët kryesojnë listën e azilkërkuesve edhe në Irlandë
Artikulli tjetërRilindja Demokratike!