Listë me 130 të inkriminuarit e Ramës me “Eskobarin” brenda

Deputeti i PD, Genc Pollo ka publikuar një listë, zyrtarësh shtetërorë, ku nr.11 rezulton Klement Balili, i njohur tashmë si “Eskobari i Ballkanit. Në një postim në Facebook, Pollo shkruan se, kjo listë me 130 persona, përbëhet nga drejtorë, shefa e më gjerë të emëruar në epokën rilindiste nga Kopliku në Kolonjë e nga Ksamili në Kukës, dhe që opozitës i rezultojnë si burgaxhinj dje dhe problematikë sot.
“Javën e shkuar, si kryetar i Komisionit Hetimor parlamentar për administratën publike, i dërgova letër (“kërkesë  për informacion” quhet zyrtarisht) katër ministrave të qeverisë (të Brendshmit, të Drejtësisë, të Financave e të Sociales) për të na sqaruar mbi një listë prej 130 personash. Këta janë drejtorë, shefa e më gjerë të emëruar në epokën rilindiste nga Kopliku në Kolonjë e nga Ksamili në Kukës. Opozitës i rezultojnë këta si burgaxhinj dje dhe problematikë sot. Ndërkohë, në mesjavë, plasi skandali i Escobarit të Ballkanit, dhe vura re se ai ishte nr.11 në këtë listë. Presim përgjigje e do të marrim vesh mbase kush ndër 129 të mbeturit do të fitojë nofkën Totó Riina, Tommaso Buscetta, Jack the Ripper e Al Capone i Ballkanit”, shkruan Pollo.

Zbulohet firma e Balilit në QKR

Nga një dokument i QKR-së vërtetohet se emri i saktë i “Eskobarit” është Kelmend Balili. Ende pa u shpallur në kërkim nga Interpol, Klemendi u zhduk pa lënë gjurmë. Pavarësisht  kësaj, policia nuk ka asnjë provë kundër tij. Sërish faji mbetet i të huajve, që nuk i kanë sjellë edhe  provat bashkë me urdhrin e arrestimit.
Mediat greke publikuan të dhënat e para se furnizuesi me drogë i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës kishte inicialet K.B. I pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit”, emri i ish-drejtorit të Transporteve në Sarandë, pronar i kompleksit “Santa Quaranta” u përcoll në media herë si Klement, herë si Klemend e herë si Kelmend Balili.
Mediat greke bënë të ditur se, marrëveshja për trafikimin e drogës drejt Greqisë mes Balilit dhe trafikantëve grekë është bërë në Fier. Gazeta greke “Kathimerini” ka botuar këtë të premte një tjetër shkrim për rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike të drejtuar nga Klement Balili. Aty jepen pjesë nga dosja hetimore e policisë greke mbi përgjimet dhe mënyrën si funksiononte ky rrjet. Njëri nga shtetasit grekë të arrestuar për trafikun e 700 kg hashash ka pranuar se drogën e ka marrë në Shqipëri. Ai ka deklaruar se marrëveshja për këtë transport droge është bërë në Fier me njerëzit e Klement Balilit.
Klement Balili zyrtarisht është në kërkim, pas mbërritjes së urdhër-arrestit ndërkombëtar nga Interpol Athina. Ende nuk ka asnjë të dhënë nga policia për vendndodhjen e Balilit. Dyshohet se ai është larguar jashtë shtetit larg me dokumenta greke me identitet të rregullt dhe foto të falsifikuara të Balilit e përdorur për të kaluar në mënyrë legale pikën kufitare.
Balili u zhduk një ditë, pasi nga zyra e tij në Drejtorinë e Transportit të Sarandës deklaroi se, ai nuk ishte i përfshirë në trafikun e 700 kilogramëve marijuane të kapur në Zakinthos të Greqisë. Operacioni kundër rrjetit të narkotrafikut çoi në arrestimin e 15 personave në Greqi dhe 2 të tjerëve në Belgjikë.
Krahu i djathtë i Klement Balilit, shtetasi grek Ksenofondos Anagnostopoulo ka hyrë disa herë në Shqipëri dhe e ka takuar ish-drejtorin e Transportit në Sarandë. Ksenofondos Anagnostopoulo ishte përgjegjës për sigurimin e shoferëve të rinj për transportin e lëndës narkotike drejt Gjermanisë dhe që kishte rolin e kujdestarit për të arrestuarit e grupit të Kelment Balilit. Anagnostopoulo rezulton se ka qenë disa herë në Shqipëri. Sipas të dhënave, për herë të fundit, ai ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe ka dalë dy ditë më pas.
Kryesisht, hyrje-daljet në pikat kufitare, 52-vjeçari i bënte në këmbë dhe përgjithësisht, përdorte pikën kufitare të Qafë Botës, për të arritur më shpejt në Sarandë. Në informacionet e mbledhura, Anagnostopoulo rezulton se herën e fundit, në Shqipëri ka qëndruar në resortin e  Balilit, ku dyshohet se është planifikuar transporti nëpërmjet detit i 700 kg kanabis të papërpunuar. Sasia e drogës u kap gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakinthos.
52-vjeçari ishte autorizuar për këto bisedime nga koordinatori i transportit, greku Gjeorgio Alifandi. Ksendofonda Anagnostopulo, sipas policisë greke, është anëtar kyç i organizatës kriminale, pronar i kompanisë tregtare të makinave të përdorura, i ngarkuar me gjetjen e kamionëve për transportimin e sasisë së narkotikëve, magazinimin e përkohshëm të saj në shtetin grek dhe transportimin e mëtejshëm drejt vendeve të Europës Perëndimore, përmes Greqisë.29

R.POLISI

Artikulli paraprakTë zgjedhurit me shumë emra si transvestitë
Artikulli tjetërBasha: Kriminalizimi i politikës, njolla e zezë e kumbarit Rama