9 muaj pasi doli nga burgu në Busto Arsizio, dhe dy pasi ishin mbyllur hetimet, Artur Bushi mori një ftesë të rrallë. Kryetari i PS, Rama e ftonte të kandidonte për Kryetar Komune në Thumanë në zgjedhjet e vitit 2011. Të mbërrish nga qelitë e burgut në karrigen e një Kryetari komune dhe mw pas nw manatin e deputetit dhe karrigen e kryebashkiakut tw Krujws, natyrisht që kjo do të ishte ëndrra më e madhe për çdo trafikant droge dhe prostitucioni. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Bushin, i cili menjëherë e pranoi ftesën e Ramës dhe me paratë e fituara nga trafiku i kokainës e prostitucionit nisi fushatën, të cilën e bitisi me fitore në këtë zonë.
Prej këtu, Bushi nisi një karrierë tjetër atë të politikanit. Një shprehje e lashtë thotë se gjithmonë do të gjendet një laps për të shkruar të ardhmen, por kurrë nuk do të gjendet një gomë për të fshirë të shkuarën. Ndoshta Bushi nuk e kishte menduar asnjëherë se letrat e punëve të tij të pista të emigrimit do të mund të hapeshin një ditë. Në formularin e dekriminalizimit Bushi ka pranuar arrestimin e tij për trafik droge në qershorin e vitit 2010. Ai thotë se ka qëndruar në qeli deri më 24 korrik të atij viti dhe më pas është liruar pas vendimit të Gjykatës dhe kërkesës së Prokurorit. Arsyeja e vërtetë e këtij lrimi të Bushit është disi ndryshe. Ashtu sikurse flasin edhe mediat italiane, Bushi është arrestuar në flagrancë për trafikun e kokainës nga Holanda. Ai ka qenë në krye të kësaj organizate që trafikonte lëndën narkotike. Hetimi ka vazhduar për afro 1 vit nga autoritetet italiane. Përgjimet e bëra nga hetuesit italianë, një pjesë e të cilave mund të botohet në ditët e ardhshme, japin të plotë tablonë dhe rolin e Bushit në këtë trafik kokaine. Arsyet e lirimit të tij kanë pasur të bëjnë me një tjetër pakt që është arritur mes tij dhe të arrestuarve të tjerë, një prej të cilëve ka marrë përsipër barrën e trafikimit, duke parë edhe gjendjen e rënduar të Bushit. Kjo ka sjellë më pas edhe vendimin e Gjykatës për ta liruar.
Arrestimi për prostitucion
Në formularin e dekriminalizimit Bushi thotë se është arrestuar dy herë në Itali, një herë për arsye që atij nuk i kujtohen dhe një herë tjetër për trafikim të lëndëve narkotike. E vërteta është disi ndryshe. Në arrestimin e parë, të cilin ai e pranon në formular dhe që ka ndodhur në vitin 1996 në Caserta të Italisë, arsyeja e mbajtjes së tij në qeli ka qenë për trafik prostitucioni. Ai ka mundur që të dalë sërish nga burgu në një mënyrë të dyshimtë dhe pas një pakti të pistë me autorë të kësaj historie. Gjithsesi ky hetim dhe ky arrestim nuk e nxjerr atë të pastër edhe nga kjo vepër penale, pavarësisht se ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Bushi fsheh emrin e dytë Kastriot C.
Në formularin e dekriminalizimit ka një pyetje, e cila kërkon nëse personi që e plotëson atë ka pasur gjeneralitete të tjera në të shkuarën? Rama e pranoi se ka pasur një të tillë kur tha se e ka pasur emrin Edvin dhe e ka ndryshuar në Edi. Kryebashkiaku i Kurbinit thotë se ka pasur 4 emra, ndërsa dyshohet se ka fshehur edhe dy emra të tjerë. Në këtë pikë Bushi ka bërë një gabim, i cili e penalizon atë dhe e çon direkt për ndjekje penale dhe deri në burg, pasi ai ka fshehur gjeneralitetin me emrin e dytë që ka mbajtur një periudhë të shkurtër kohore në Itali. Ai ka mbajtur atje edhe emrin Kastriot C. (Gazeta nuk mund ta publikojë të plotë mbiemrin për shkak se ai është një person konkret). Ky identitet i është vjedhur një qytetari i cili jeton sot në Shqipëri.
Pse e fshehu?
Arsyeja se përse Bushi e ka fshehur emrin e dytë ka të bëjë me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në zonën e Napolit. Bushi ka bërë një atentat, duke plagosur dy persona, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre për shkak të konflikteve të vjetra që kishin mes tyre. Dy personat në gjendje të rëndë nga atentati kanë mundur të mbijetojnë plagëve edhe për shkak të fatit, pasi aty pranë është ndodhur një autoambulancë. Kjo çështje ka nisur të hetohet në Napoli gjatë kohës që Bushi ishte atje me emrin e tij të vërtetë. Kur ai ka shkuar që të rinovojë dokumentat në Kuesturë, policët i kanë thënë se ai duhet të porsite për t’iu përgjigjur disi dyshimeve që policia kishte në lidhje me Bushin. Në mënyrë të shpejtë Bushi është larguar nga Kuestura, duke u nisur menjëherë për në Shqipëri. Veprimi i parë që ka bërë kur ka mbërritur këtu ka qenë ndryshimi i emrit. Ai është pajisur me një pasaportë tjetër me emrin Kastriot C. Me këtë identitet, ai ka shkuar sërish në Itali. Bushi ekziston me identitetin e tij në Caserta, ndërsa në Napoli ai njihet me gjeneralitete Kastriot C. Majde me këtë emër, ai ka bërë në gjendjen civile të zonës edhe veprime të tjera familjare, lehtësisht të evidentueshme nga Prokuroria, e cila do të hetojë të dhënat e të gjithë kontigjentit kriminal të Ramës në Parlament, Bashki dhe administratë.
“Varesse NEWS”: Bushi, pjesë e kartelit të drogës
Të rinj, të edukuar dhe të mirintegruar në territorin e Galaratës. Pra, “djem të mirë”, të paktën kështu thoshin komshinjtë e shtëpisë në “Monte Leone”, lagjen periferike të Morixhias, se ata nuk kishin vënë re asgjë. Nuk kishin vënë re as që ata djemtë e mirë të derës ngjitur ruanin dhe paketonin drogë të importuar nga Holanda, e destinuar për t’u shitur më pas në gjithë Italinë.
Bledar Debrova, shefi i të ashtuquajturës “Debli”, 34 vjeç, Ndriçim Hindraliu, i quajtur ‘Çimi’, 30 vjeç, Bujar Hasani i quajtur ‘Polpeta’, 26 vjeç, Roland Abesci, i quajtur ‘Landi’, i vitit 1964, Artur Bushi, i quajtur “Turi”, 34 vjeç, Besim Kadiu dhe Erjon Tarja, i quajtur ‘Eri’, 27 vjeç. Një bandë e tërë dhe e vërtetë me role të mirëpërcaktuara, që për komandandin e Policisë së Shtetit në Galaratë, Franco Novati, i cili bashkë me Prokurorinë e Busto Arsizio kanë ndjekur hetimet, kanë përmendur qendrime tipike të “mafies sonë”: hierarki, organizim, kohezion, të lidhur me familjen dhe traditat.
Prej muajsh forcat e Komisariatit të Galaratës i ishin vënë pas këtij grupi, të cilët kanë zbuluar se grupi i trafikantëve me kombësi shqiptare që furnizonin tregun e Galaratës, një herë në katër muaj, pjesëtarë të grupit merrnin avionin dhe fluturonin për Amsterdam.
Një trafik i mirorganizuar dhe shumë fitimprurës, i cili mund të gjeneronte edhe 1 milion euro; Bledar Debrova, shefi, nga Elbasani, qyteti i tij i origjinës ishte pronar i pasurive të patundshme dhe ishte duke hapur një aktivitet të ri, biznes hotelerie. Precedentët ishin të vegjël, dikush për shfrytëzim prostitucioni, dikush për emigrim të paligjshëm, por askush për drogë.
Bushi, pjesë e bandës kriminale të Morrigia-s
Banda e trafikut të kokainës, ku bënte pjesë Artur Bushi, sot Kryetar i Bashkisë së Krujës, importonte kokainë nga Holanda në Itali. Para se të bëhej deputet më 2013, policia italiane e arrestoi Bushin më 11 qershor 2010 në qytezën e Gallaratës. Ai ishte i dyshuar si pjesë e një organizate kriminale, të njohur si banda e Morriggia-s. Franco Novati, një ish-komandant policie në Gallarate, i cili drejtoi hetimin, i tha BIRN se kjo bandë importonte kokainë nga Holanda në Itali.
“Kur ne i vumë nëntë prej tyre nën përgjim, ata folën për ‘pjesë këmbimi’, por ne e dinim se kjo qe fjala në kod për kokainën”, rikujtoi ai. Novati tha se, kokaina vinte nga Amsterdami përmes korrierëve dhe shitej me shumicë te bosët vendorë në Breshia, Modena, Luka dhe Piaçenza. “Ne ndërhymë në transportin e fundit të 10 apo 11 kileve të kokainës nga Holanda dhe arrestuam bandën”, shtoi ai. “Ai (Artur Bushi) qe pranë bosit të bandës Morrigia”, shtoi ish-shefi i policisë, aktualisht në pension.
Kush i verifikon të dhënat e dekriminalizimit
Faza më e rëndësishme e ligjit të dekriminalizimit është ajo e verifikimit të vërtetësisë së të dhënave të shënuara në formularët e vetëdeklarimit.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, i miratuar me konsensus javë më parë, janë 16 institucionet që do të kryejnë verifikimet e para të formularëve të plotësuar nga të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste publike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë deklaratat e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, Departamenti i Administratës Publike, DAP do të verifikojë formularët e vetëdeklarimit të plotësuar nga punonjësit e administratës, KLD ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Kuvendi të drejtuesve të institucioneve kushtetuese që emërohen nga ky institucion.
Ndërkaq, Presidenca do të verifikojë ambasadorët e vendit tonë në botë, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, plus çdo funksionar tjetër publik të emëruar prej tij, me përjashtim të Kryeministrit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Në listën e institucioneve të verifikimit janë edhe Kryeministri, prefekti, drejtori i Shërbimit Informativ apo ai i Policisë së Shtetit për vartësit përkatës.
Verifikimi nga këto institucione ku dorëzohet formulari do të bëhet në javët dhe muajt në vazhdim sipas parashikimit të ligjit dhe në rast se do të ketë dyshime për deklarata të rreme, atëherë secili prej këtyre institucioneve i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo e fundit, që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit ka ngritur një grup të posaçëm, që përbëhet nga 2 prokurorë, tre oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një punonjës IT, të cilët do të hetojnë çdo rast që do t’u paraqitet brenda 3 muajve.
Edhe pse ligji e parashikon Prokurorinë si një institucion të shkallës së dytë për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, kjo nuk ia heq të drejtën organit qendror të akuzës që në rastet kur ka dyshime të iniciojë vetë verifikimet për të zgjedhurit dhe emëruarit në poste publike.
Arben SHAHINI