Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh në një intervistë se protestat e opozitës mund të zhvillohen më 20 ose 27 janar. Mediu tha se e rëndësishme është që protestat të mos kthehen në një qëllim në vetvete, por të shoqërohen me veprime të tjera, në funksion të arritjes së qëllimit final, rrëzimit të qeverisë. “Data e diskutuar për zhvillimin e protestave janë 20 apo 27, por kreu i PD-së, Lulzim Basha do të diskutojë me kryetarët e degëve, të cilët janë edhe personat kyç në organizimin e protestave. Opozita ka zhvilluar shumë protesta, dhe çështja është sesi do të kapitalizohen ato. Unë mendoj se opozita duhet të lëvizë nga Tirana drejt qyteteve të Shqipërisë, ku duhet të organizohen Kuvendet me qytetarët, për të ndërtuar një raport të drejtë mes atyre që përfaqësojnë qytetarët me zërin e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që ne të dëgjojmë zërin qytetar, të kuptojmë se çfarë kërkojnë qytetarët dhe problemet e tyre ne t’i ngremë në Parlament”, tha Mediu. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se plani i Edi Ramës është i qartë: përmes frikës dhe varfërisë, presioneve dhe kapjes së drejtësisë të mbajë qeverisjen e vendit. “Edi Rama u përpoq të zhvlerësonte çdo gjë që ishte bërë deri në ditën që ai mori pushtetin dhe premtoi se do të bënte shtetin e tij. E nisi me sulmet ndaj gjyqësorit, me qëllim që t’a vendosë atë në këmbët e tij, t’i shërbejë PS. Pra nga një gjyqësor i korruptuar sot përballemi me atë që mund të kemi një gjyqësor të kapur. Rama miratoi paketën e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën me qëllim që t’i shërbejë devijimit të procesit dhe kapjes së drejtësisë. Rama u ka cënuar liritë, ka shkatërruar institucionin e Parlamentit dhe i ka dhënë vetes që të ketë vetëm një institucion të vlefshëm, atë të vetes së tij”, tha Mediu. Në vijim ai shtoi se sot shqiptarët largohen nga vendi për shkak se nuk shohin shpresë dhe të ardhme, ndërsa kemi një shoqëri më apatike dhe më pak reaguese. Në këtë drejtim, sipas tij ka përgjegjësi edhe opozita, përsa i takon besueshmërisë së saj për të rikthyer shpresën. Duke iu referuar kohës kur PD ishte në opozitë 2001-2005, Mediu tha se në atë kohë kishte një tjetër aksion opozitar, qoftë në argumentimin e manipulimit zgjedhor në raport me ndërkombëtarët, ashtu edhe në organizimin e brendshëm. “Që e djathta të jetë fituese duhet të përfshihen të gjitha kapacitetet opozitare që nga 1990. Ju kujtoj KOP-in në 2005 që bëri zoti Berisha, i cili thirri të gjithë gamën e njerëzve që duheshin përfshirë jo vetëm në procesin zgjedhor, por edhe qeverisës të vendit. Nëse një gjë të tillë e bëri Berisha, atëherë edhe zoti Basha duhet ta bëjë për një qëllim të mirë. Historitë pozitive të opozitës duhen vlerësuar. Kur kemi qenë më të unifikuar, më të përcaktuar, qoftë edhe në hapjen politike, ne kemi qenë fitues”, tha Mediu. Sipas tij, në atë kohë ne si opozitë thirrëm të gjithë resurset njerëzore që kishim, pra bëmë një inventar të të gjithë kontribuuesve, i thirrëm, i bëmë pjesë të takimeve, u kthyem në zërin e qytetarëve. “Në 4 vitet e shkuara jemi përpjekur të kemi një forcë opozitare, por lamë mbrapa një angazhim më serioz, detajimin e strukturës elektorale. Loja e PS për të sabotuar Reformën Zgjedhore, mendoj se pati një ndikim negativ në rezultatin e zgjedhjeve. Ne ecëm në nivelin politik, por lamë mënjanë detajet, bëmë lojën e madhe, por harruam të voglën”, tha Mediu. Referuar mënyrës sesi funksionon sot opozita, kreu republikan tha se është mëse normale që përpara se të merret një vendim për frontin opozitar duhet të ketë një konsultim mes partive që dolën bashkë në zgjedhje, pastaj le të kalojmë në vendimmarrje. “Nuk ka munguar predispozicioni ynë për të bashkëpunuar me LSI-në, por ajo që them unë është që më përpara të bëjmë llogaritë brenda pragut, pastaj jashtë pragut. Ne i qëndruam konseguent marrëdhënies me PD dhe këtë kërkojmë edhe sot. LSI është opozitë, por koalicioni opozitar i djathtë dihet se kush është”, shtoi ai.
Kryesore
Continue to the categoryFitim Zekthi: Dëmet e komunizmit që i trashëgojmë edhe sot
Nga Fitim Zekthi
Kontributi me i madh dhe sigurisht me i tmerreshem i Marksit nuk ishte lufta e klasave por diktatura e proletariatit qe sigurisht...