Me javë të tëra distancë nga përplasja e famshme për goditjen e një penalltie, “lufta e ftohtë” në repartin sulmues të Paris St. Germain është rikthyer në fokus. Braziliani Neymar dhe Edinson Cavani janë në kufijtë e urrejtjes me njëri-tjetrin, por deri më tani, kjo ka ndikuar pak në lojën e skuadrës transalpine, që përballet gjithsesi me komplote të ndërsjella dhe tension në grupet që mbështesin lojtarët respektivë.
Në një krah kolonia braziliane, me futbollistin që ka kushtuar plot 222 milionë euro, e në krahun tjetër sulmuesi më efikas i të gjithë epokës “Khelaifi” në skuadrën pariziene. Sipas mediave franceze, Neymar po shton tensionin dhe komplotet kundër sulmuesit uruguajan, duke detyruar një shitje potenciale të tij në fundin e sezonit.
Statusin e “Princit” të Parisit, Neymar kërkon të mos e ndajë me Cavanin, ashtu si dhe privilegjet e goditjeve të dënimit e penalltive. Vonesa e fundit e sulmuesit uruguajan nga pushimet dimërore i ka sjellë lënien jashtë ekipit. Neymar, i përpiktë në rikthimin e tij, shfrytëzoi vonesën e Cavanit për të forcuar raportet me klanin e francezëve, grup që jozyrtarisht konsiderohet ndikues në një skuadër me 101 kombësi të ndryshme.
Duket se ky është vetëm agimi i një beteje të re, pas përplasjes publike për penalltitë, por pavarësisht se mediet vendase mbështesin Cavanin, mosha dhe paraqitjet anojnë bilancin nga ana e brazilianit. Cavani ndërkohë mund të krenohet se mori vlerësimin si “I huaji më i mirë” në kampionatin francez, e mund të mbështetet të paktën deri në merkaton e verës në raportin e privilegjuar me presidentin Nasser Al-Khelaifi.
Edinson Cavani dhe Javier Pastore nuk janë grumbulluar nga trajneri Unai Emery për ndeshjen që Paris Saint Germain do të luajë kundër Amiens në Kupën e Ligës së Francës, si pasojë e një dënimi disiplinor. Të dy futbollistët kanë shkuar katër ditë me vonesë në grumbullimin e PSG, në fillim të janarit, dhe pasi u përjashtuan nga ndeshja e parë e vitit kundër Rennes janë lënë sërish jashtë nga stafi i PSG.
Kjo masë e marrë nënkupton se të dy lojtarët do ta vazhdojnë karrierën diku gjetkë. Cavani, që e nisi sezonin me një sherr me Neymar dhe disa brazilianë të tjerë te PSG, e ka ndarë mendjen se do të largohen në qershor dhe po bën valixhen gati, ndërsa Pastore, që po vuan në gjetjen e një vendi si titullar po mendon largimin që në këtë muaj me Inter që është në “pole postion” për të marrë shërbimet e tij.