Në aeroportet evropiane po rishikohen me urgjencë masat e sigurisë, ndërkohë që vazhdon të rrethohet nga misteri shkaku i rrëzimit të avionit Egyptair.
Edhe pse nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin në Mesdhe të avionit me numër fluturimi 804, historia e gabimeve të sigurisë në aeroportet ku u ndal atë ditë avioni i ka shtuar dyshimet për rrëzimin.
Ekspertët e aviacionit vënë në dukje se nga piloti nuk erdhi asnjë sinjal për ndihmë, ndërkohë që avioni po bënte manovra të shpejta. Këto i kanë shtuar gjithashtu dyshimet për një akt terrorist, vetëm dy muaj pas sulmeve vdekjeprurëse në Aeroportin “Zaventem” të Belgjikës.
Në qoftë se avioni është rrëzuar nga ndonjë bombë, ekspertët dhe zyrtarë të qeverisë thonë se, shpjegimi më i mundshëm është që një pajisje të ketë qenë vendosur në bord nga një punëtor në njërin nga të katër aeroportet ku avioni kishte bërë ndalesa.
Terrorizmi nuk është i vetmi shkak i mundshëm për rrëzimin. Ekspertët e aviacionit paralajmërojnë se shkak mund të ketë qenë një difekt mekanik ose një gabim i pilotit.