Emigracioni, pabarazia, rënia e klasës së mesme, kriza e euros, mosbesimi tek lidershipi zyrtar: nuk ka mungesë të shpjegimeve për mesazhin që votuesit e zemëruar, janë duke e shpërndarë në kutitë e votimit në vende të ndryshme europiane. Megjithatë, shumicën e kohës, ai mesazh shpërfillet si një hov të përkohshëm të gjaknxehtësisë, që përfundimisht do të vetë-rregullohet.
Për të paktën 20 vitet e fundit, ne e kemi konsideruar acarimin e opinionit publik si një kosto të papërfillshme për demokracinë. Në fakt, mbështetja për partitë radikale vetëm sa është rritur. Partitë tradicionale që favorizojnë integrimin europian – kristian dhe social demokratët janë të kërcënuar në të gjithë kontinentin. Partitë e reja radikale, veçanërisht ato të së djathtës ekstreme, janë shfaqur papritur kudo.
Ato përfaqësojnë një forcë të fuqishme dhe kërcënuese, me kohën në favorin e tyre. Çdo 4 vjet, Unioni Demokristian të Gjermanisë (CDU) humbet 1 milion votues për arsye të pastra demografike. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Viktimat në zonat me papunësi të lartë, votuesit e rinj në Gjermani, Itali, Austri, Spanjë, dhe gjetkë votojnë shpesh ndryshe dhe në mënyrë të paparashikueshme.
Ata që pohojnë se është gati të lindë një epokë e re, nuk e kanë kuptuar asnjëherë erën në të cilën po jetojnë. Ka ardhur koha për t’i marrë parasysh këto zhvillime për atë që ato janë – një ndryshim i përhershëm në peisazhin politik europian. Zgjedhjet presidenciale austriake dëshmuan edhe një herë se partitë tradicionale, të lëna mënjanë nga një formacion nacionalist ksenofobik si Partia e Lirë e Austrisë, tërheqin një pjesë të papërfillshme zgjedhësish.
Ka arsye të besohet se, kjo nuk është një protestë e rastit, por një hap drejt një forme të re të populizmit autoritar. Kjo prirje është duke e mbërthyer Europën në një mënyrë të njëjtë me atë që ndodhi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kjo mund të tingëllojë alarmante për faktin se shoqëritë europiane gjenden aktualisht në një shpat të rrëshqitshëm, që krijon hapësirë për politikat autoritare – një shpat i formuar nga efektet e kombinuara të krizës ekonomike dhe asaj të emigrantëve, e cila e bën perspektivën e mbylljes së kufijtë kombëtarë bindëse për zgjedhësit.
Ne tashme jemi dëshmitarë të ndërtimit të gardheve me tela me gjemba dhe mure që shkojnë deri në Europën Lindore për të mbajtur jashtë refugjatët. Aktualisht, Austria është duke ndërtuar “mure” në kufirin e saj në Slloveninë dhe Italinë.
Kontinenti i është rikthyer ndërtimit të barrierave dhe nuk do të duhet shumë kohë para se shkurtimet ekonomike dhe kufizimet në tregti të fillojnë të dëmtojnë Tregun e Përbashkët – themelin e Bashkimit Europian. Politikat despotike mund të rikthehen të jenë sërish në modë. Ato janë tashmë në proces për të ndodhur. Rishtetëzimi i politikave ka qenë një tipar përcaktues i krizës ekonomike në BE që nga viti 2008.
Retorika e “secilit për vete”, ose ideja e “reduktimit të rrezikut, pa ndarjen e rrezikut”, fsheh një mungesë gatishmërie për t’iu përgjigjur së bashku një kërcënimi të përbashkët. Kjo është një reminishencë e shteteve kombëtare europiane të shekujve të fundit, të cilat qenë themeluar mbi parimin e vetë-mjaftueshmërisë, në vend të ndërvarësisë, në mënyrë që të përgatiteshin për mundësinë e luftërave të shpeshta.
Despotizmi mund të bëhet edhe një herë joshës për politikanët, të cilët janë të etur të valëvisin flamuj kombëtarë dhe t’i bashkohen mbështetësve të tyre, kundër kërcënimit të jashtëm, real apo imagjinar qoftë. Ndërsa, negociatat mbi marrëveshjen e tregtisë transatlantike janë duke u zvarritur, lëvizjet anti-tregtare po pësojnë një rritje të fortë.
Izolimi ekonomik shumë i keq në shekullin e fundit, por për shoqëritë dhe sistemet ekonomike që janë zhvilluar në 6 dekadat fundit në tregje të hapura, rreziku despotik është ekzistencial. Varfëria, papunësia masive apo grevat mund të shkaktojnë kaos në sektorët e industrive eksportuese dhe importuese, te grosistët, prodhuesit e lidhur me zinxhirët e furnizimit global, dhe kështu me radhë. Përtej efekteve standarde të kontrollit të kufijve, lëvizja e njerëzve dhe kapitalit mund të bëhet e kufizuar nga survejimi elektronik. Një reagim edhe më shumë autoritar – ndoshta edhe një ushtarak-mund të bëhet pasoja e pashmangshme e krizës politike dhe ekonomike.
E ardhmja e Europës
Aktualisht janë urgjente dy lloje përgjigjesh. E para ka të bëjë me trajtimin e rreziqeve të proteksionizmit dhe tundimeve ushtarake, dhe e dyta është më strategjike. Në të parën, negociatat e tanishme mbi një marrëveshje të re të Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve, përfaqësojnë një mundësi të artë që Europianët të angazhohen për të tregtuar në mënyrë të hapur, transparente, dhe diskutuar në mënyrë të vendosur se çfarë nuk pëlqejnë qytetarët Europianë.
Fshehja e pazareve nën banak, mund të “vrasë” dhe atë pak besim të mbetur të qytetarëve europianë tek politika mbikombëtare. Ngjashëm, marrëveshjet parimore për patrullimin e përbashkët europian të kufijve të jashtëm, mund të jenë një udhërrëfyes i mirë për një proces të integrimit të strukturave ushtarake kombëtare.
Pasi proteksionizmi dhe armiqësia ushtarake të jenë parandaluar, është i nevojshëm një mendim më strategjik për të ardhmen e Europës, një i tillë që të vërë në pikëpyetje arsyen ekzistenciale europiane përballë asaj që është jo-europiane – të miliona refugjatëve në kufijtë e kontinenteve. Emigrantët ofrojnë përvojën e përballjes me “tjetrin” si një busull të etikës njerëzore.
Është koha që Europa të rithërrasë Konventën Europiane, e cila dështoi në vitin 2003 të prodhojë një Kushtetutë të përbashkët, ose historia do t’i japë përgjigje të gabuara pyetjeve që vetë europianët as nuk kanë guxuar t’i ngrenë. Së fundmi, i njëjti akt i ndershmërisë dhe kurajos duhet të ndërmerret edhe mbi krizën ekonomike, e cila është duke gjalluar ende në mesin e shumicës së vendeve të BE-së, dhe ushyer ndjenjat anti-europiane në mesin e viktimave të saj.