Prokurorët kanë marrë dje në pyetje shoferin e dytë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët që ende nuk e kanë marrë në pyetje vetë Tahirin, por verifikojnë të dhënat e një takimi mes ish-ministrit me Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge. Takimi mendohet të jetë zhvilluar në vitin 2014 në Greqi.
Shtetasi Alban Aliaj, shoferi i dytë i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që më herët ka qenë punonjës i Gardës së Republikës është thirrur nga prokurorët që po hetojnë dosjen Tahiri-Habilaj. Emri i Aliajt ka dalë pas këqyrjes në sistemin TIMS. Gjatë muajit gusht 2014, Alban Aliaj ka shkuar në Greqi me një automjet zyrtar. Në të njëjtin moment ka shkuar në Greqi edhe Artan Habilaj, në bordin e “Audit” AA 003 GB.
Gjatë pyetjeve në Prokurori ish-shoferi i Tahirit ka pranuar se Artan Habilaj ka mbërritur në Greqi dy ditë, pasi ministri Tahiri ndodhej në plazh me bashkëshorten. Pas takimit mes të dyve, automjeti “Audi” AA 003 GB me të cilin udhëtoi Artan Habilaj qëndroi në Greqi, kurse vetë Habilaj u kthye në Tiranë me ish-shoferin e Tahirit.
Në dëshmitë e tij, Saimir Tahiri ka këmbëngulur se automjetin “Audi” e ka shitur që prej 2013-ës dhe se nuk ka patur kontakt me Habilajt. Kurse ngjarja për të cilën prokurorët kanë siguruar dëshminë e ish-shoferit, ka ndodhur në 2014-ën. Burimet nuk konfirmojnë se për çfarë u shërben kjo dëshmi prokurorëve, të cilët nuk e kanë vendosur ende se kur do ta marrin në pyetje vetë ish-ministrin Tahiri.
Por megjithë numrin e lartë të të pyeturve, ku nuk kanë munguar edhe zyrtarë të lartë policie, Prokuroria e humbi betejën paraprake në Gjykatë për ndalimin e daljes jashtë shtetit të ish-minitrit Saimir Tahiri si edhe për arrestin me burg për Orest Sotën, biznesmenit që iu gjetën në automjet patentat detare të ish-ministrit dhe mbi 860 mijë euro.
Për të dyja këto vendime të Apelit, Prokuroria ka ende kohë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ndonëse deri tani nuk e ka bërë. Nga ana tjetër, një dosje me tre fashikuj hetimore i është bashkangjitur dosjes Habilaj, bëhet fjalë për dosjen e Dritan Zaganit, ish-policit që ndodhet në azil jashtë vendit dhe që denoncoi i pari lidhjet e Habilajve me ish-ministrin.
Vetë Artan Habilaj, që përmendet në dëshminë e ish-shoferit të ministrit Tahiri dhe Florion Habilaj, nuk janë arrestuar akoma, ndonëse dyshohet se fshihen në fshatrat e Vlorës. Kurse vëllai i Artanit, Moisi Habilaj dhe të dyshuar të tjerë janë të arrestuar në Katania të Italisë, ku po hetohen për trafik ndërkombëtar droge.
Shumë elementë të dosjes Habilaj, të grumbulluar në përgjimet italiane, janë zbardhur nga media. Në përgjimet audio të bandës së Habilajve të publikuara nga mediat para pak ditësh, del se Tahiri ishte anëtar kryesor i bandës. Gjëja e parë, e pahasur në materialet e mëparshme, është fakti se përgjimet audio lënë të kuptohet qartë fakti se ish-ministri Tahiri ka patur kontakte, jo vetëm me Habilajt, por edhe me partnerët italianë të tyre. Me sa duket, ai nuk ka qenë vetëm një ‘lehtësues’ me infrastrukturë dhe influencë shtetërore, por ka zbritur edhe në ‘terren’. Kjo del qartë në bisedën audio, kur njëri prej të përgjuarve i kërkon tjetrit që të mos flasë shumë (“se mos vjen këtu ai, se i ka mbajtur numrin”).
Elementi i dytë i ri lidhet me zgjedhjet. Del po aq qartë se, Tahiri ka folur edhe me italianët për zgjedhjet e pritshme në Shqipëri. Kushtojini vëmendje pjesës kur ndodh ngatërresa gjuhësore: italiani që i përmend zgjedhjet (elezzioni) dhe i përgjuari që kujton se po flet për leksione.
Elementi i tretë, ka të bëjë me sigurinë që jep ky pasazh zanor mbi atë se, a është kamionist Saimiri që del në përgjime, apo është ministër. Këtu flitet për një njeri me pushtet që quhet Saimir, që merr dhurata të shtrenjta dhe që është i shqetësuar për zgjedhjet.