Lazio, “shigjeta” mes Kloses dhe Tares

Miroslav Klose dhe Lazio i japin fund një marrëdhënieje 5-vjeçare në një mënyrë të atillë që askush nuk e kishte imagjinuar. Sulmuesi thumbon drejtuesit e klubit bardhekaltër se nuk i kishin dhënë asnjë sinjal për rinovimin e kontratës, ndonëse një gjë e tillë dëshirohej edhe nga tifozët, të cilët thërritën në kor emrin e tij për të goditur 11-metërshin në sfidën me Fiorentinën në “Olimpico”, takim që përfundoi me fitoren 2-4 të skuadrës vjollcë. Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare, bashkëlojtar me Klosen nga periudha 1999-2001 te Kaiserslauterni, i përgënjeshtroi menjëherë deklaratat e bomberit gjerman. Drejtuesi shqiptar i Lazios u shpreh se kishte zgjedhur të mos përgjigjej menjëherë, për të mos i dhënë shumë rëndësi kësaj polemike, pasi gjithçka do të sqarohej në ditët në vijim.
Dhe në fakt reagimi i Tares erdhi nëpërmjet një qëndrimi zyrtar të klubit. Fola me Klosen para ndeshjes me Spartën e Pragës dhe i propozova rinovimin e kontratës për dy sezone, me mundësinë që ai të shndërrohej në pikë referimi e klubit edhe pas karrierës si futbollist. M’u përgjigj, jo. Më pas, Tare foli edhe për një propozim të dytë, më herët në kohë, që gjithashtu u refuzua nga 37-vjeçari. Menjëherë reagon Klose me versionin e tij për mediat gjermane. “Nuk e kuptoj gjithë këtë diskutim. Po e shpjegoj në mënyrën më të thjeshtë. As mua dhe as menaxherit tim nuk i ka ardhur një propozim qoftë verbal, pavarësisht se cili do të kishte qenë vendimi im”.

Artikulli paraprakInteri rrezikon të humbasë Brozoviç
Artikulli tjetërNisin përgatitjet për Euro 2016