Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi deklaroi dje se mazhoranca po i qëndron variantit të Reformës në Drejtësi që synon kapjen e sistemit. Mazhoranca ka refuzuar në komisionin e posaçëm propozimin e Partisë Demokratike për shkrirjen e Këshillit të Emërimeve në funksion të thjeshtimit të sistemit të drejtësisë. Bylykbashi tha se, diskutimi nen për nen i kapitullit për drejtësinë përfundoi dhe tashmë priten negociata për zgjidhje të përbashkët si në aspektin politik ashtu dhe në atë teknik. Deputeti demokrat bëri të ditur se gjatë diskutimeve palët nuk kanë rënë dakord për çështjen e Vetingut. Në lidhje me këtë çështje, Bylykbashi tha: “Diskutuam për Vetingun, në të njëjtën linjë si më parë, u diskutua nen për nen. Ne pozicionuam përsëri qëndrimet tona, mbeten çështje që janë të karakterit të sistemit. Zgjidhja që ne propozojmë në kuadër të këtij diskutimi gjatë gjithë kësaj kohe, përfshirë dhe çfarë thotë Komisioni i Venecias dhe ekspertët ndërkombëtarë është një zgjidhje, e cila një pjesë të funksioneve ia transferon institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë, pra procesin e Vetingut do ta bëjë një mekanizëm ndërkombëtar për sa i përket majave të sistemit, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas do të jenë këto që do të bëjnë të gjithë pjesën tjetër pasi janë pastruar dhe është siguruar integriteti dhe pastaj bëjmë të gjithë pjesën e Vetingut”. Ai sqaroi se mazhoranca është duke qëndruar mbi propozimin e një reforme që kap sistemin e drejtësisë. “Ky është këndvështrimi ynë për një sistem të thjeshtë dhe efikas që nuk është korporatist, i cili është i qëndrueshëm në kohë dhe nuk është aspak një shpikje që nuk gjendet askund, por është një model europian. Ne i bëmë propozimet tona, pala tjetër qëndron në atë që është një sistem kapjeje deri më sot. Me punën tonë ne kontribuojmë që ky sistem kapjeje të çmontohet. Këtu u mbyll si fazë diskutimesh nen për nen, tani i mbetet hapësirës për të negociuar një zgjidhje të përbashkët qoftë në aspektin politik, qoftë dhe në atë teknik sa i përket nevojës për në tekst kushtetues që është vërtet për t’u përqendruar të gjithë ne”, tha Bylykbashi. Bylykbashi tha se opozita mbetet e hapur për bisedime për të arritur në një reformë afatgjatë. “Si çdo proces ka vështirësitë e tij si në aspektin teknik ashtu dhe politik, me rëndësi është angazhimi. Nëse mazhoranca ngul këmbë në qëndrime që çojnë drejt këtij sistemi kapjeje, sigurisht vështirësohet. Ne jemi shumë të hapur që të gjejmë një zgjidhje që do t’u shërbejë shqiptarëve për një periudhë afatgjatë”, tha deputeti demokrat. I pyetur në lidhje me deklaratat e përfaqësuesve të huaj, Bylykbashi tha: “Është humbur shumë kohë me këto nxitimet dhe ngulmimet e paarsyeshme mbi zgjidhje specifike që janë problematike. Durimi dhe arsyeja do të na bëjnë ne të ecim me siguri dhe shpejtësi përpara”.
Kryesore
Continue to the category“SPAK të mos vonojë hetimet për lidhjet e politikës me krimini”,...
Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për gazetën “Panorama” theksoi se qëndrimi i gjatë i mazhorancës në pushtet vjen për...