Protesta kundër plehrave, policia dhunon banorët e Mbrostarit

Banorët e fshatit Verri në Fier janë përplasur dje me policinë teksa protestonin kundër ndërtimit shumë pranë banesave të inceneratorit për djegien e plehrave. Gjatë protestës, policia ushtroi dhunë mbi qytetarët, siç tregohej edhe në një video të postuar nga nisma Thurrje. “Na morën zvarrë si lecka, si lecka”, shpjeguan banorët teksa shprehen se nuk do të tërhiqen nga protestat deri sa të anulohet ndërtimi i inceneratorit.
Banorët sqarojnë se inceneratori për djegien e mbetjeve po ndërtohet vetëm 500 metra larg banesave, duke vënë në rrezik serioz shëndetin e tyre dhe tokat bujqësore, që janë i vetmi burim parash për familjet.
Përveçse të dhunuar nga policia, banorët shtojnë se janë gënjyer dhe nga kryebashkiaku. Banorët u shprehën para zgjedhjeve në maj i hoqën makineritë dhe na u tha që nuk do vijonte më si projekti për plehrat. “Na premtuan që nuk do bëhej inceneratori. Para zgjedhjeve në maj i hoqën makineritë dhe na u tha që nuk do vijonte më si projekt. Kryebashkiaku në një takim jopublik me përfaqësues të fshatit tonë na premtoi që kjo nuk do të ndodhte edhe deputetët e zonës na dhanë fjalën që gjithçka do të rregullohej, por nuk ndodhi kështu”, u shpreh një nga protestuesit.
Banorët tregojnë se kompania që ka fituar koncesionin për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit, ka filluar ndërtimin pavarësisht protestave të banorëve e premtimeve të qeverisë.
“Kompania ka tentuar të na joshë, duke na thënë që do kemi përfitime dhe do na punësojnë, por edhe na kanë kërcënuar, por ne nuk do heqim dorë, shtojnë banorët e Verrisë”.
Koncensioni për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit 28 milionë eurosh në Fier iu dha nga qeveria Rama, kompanisë “Integrated Technology” në shtator të 2016-ës. E njëjta kompani ka fituar dhe koncesionin për inceneratorin e Elbasanit dhe Tiranës.
“Ndërtimi i impiantit të djegies së plehrave do të na helmojë ne dhe tokat tona”, u shprehën banorët të revoltuar. “Nuk na pyetën, nuk duam që impianti të ndërtohet këtu”, janë shprehur ata të revoltuar.

Artikulli paraprakVizita e Ramës në Portin e Durrësit, Berisha: Projekti përfundoi në 2013
Artikulli tjetërTrafiku i drogës, hetimet për Tahirin zgjaten edhe 3 muaj