Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana ka ngritur siparin e konferencave për shtyp në Austri. Në prezantimin e parë për mediat në “Bad Waltersdorf” lideri i kuqezinjve shprehet i lumtur për momentin që po kalon së bashku me skuadrën, duke lëshuar kushtrimin se në Francë Shqipëria nuk shkon për turizëm. “Nuk e mbaj mend konferencën e parë, por mbaj mend detaje të tjera. Konferencat për shtyp nuk na lënë diçka të veçantë. Është kënaqësi që jemi këtu për të përgatitur një event kaq të madh, të cilin e kemi pritur kaq shumë. Eshtë e vështirë për të thënë sa pikë. Kemi mundësi që me një fitore të kualifikohemi, dhe deri në ndeshjen e fundit jemi në lojë. Edhe këtë radhë nuk është ndryshe, pasi ndeshja e parë është e rëndësishme. Është kundërshtar i vështirë dhe do përgatitet po ashtu si ne”, u shpreh Cana.
Duket si një skenar ideal i filmave hollivudian, por për kapitenin Cana ky europian është i tillë. Fati i ka vendosur një surprizë të jashtëzakonshme tashmë i mbetet kuqezinjve të dirigjuar nga qendërmbrojtësi të aktrojnë në mënyrën e duhur.
“Në jetë disa gjëra simbolike apo shenja të fatit që janë për t’u habitur. Përveç evenimentit që të gjithë prisnim për mua është e veçantë, pasi luhet në Francë aty ku unë kam luajtur, do të luajmë në Marsejë ku jeton familja ime. Do të luajmë ndaj Zvicrës ku jam rritur. Ndeshja e parë ndaj Zvicrës ka qenë më 11 qershor 2003, edhe kësaj radhe ndaj tyre, luhet më 11 qershor dhe kjo është diçka e veçantë”, tha ai.
33-vjeçari nga Prishtina i njeh mirë të 3 stadiumet ku do të luajë kombëtarja, teksa shpresa më e madhe është të mos zhgënjejë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. “Në Velodromë kam ecuri të mirë me 70% fitore, në Lens 50 -50, ndërsa në Lion diçka më pak. Një arritje e madhe, pasi ka bërë jehonë në skenën botërore. Flitet për Shqipërinë në Azi, Afrikë dhe Amerikë, na bën krenar. Shton kuriozitetin e njerëzve të na shohin për herë të parë në Europian. Duhet t’i përgjigjemi këtij kurioziteti. Ne jemi rritur shumë në nivel futbolli. Po dalin shumë talente që dalin nga Shqipëria. Kjo është fryt i një pune 20-vjeçare”, u shpreh kapiteni.
Një nga temat më të nxehta të muajit të fundit ka qenë e ardhmja e kombëtares kuqezi, pas pranimit të Kosovës në FIFA. Ambasadori i shqiptarëve është në sinkron me drejtuesit e dy federatave, duke shpjeguar se sot ekziston vetëm një kombëtare.
“Gjithmonë ka patur përfaqësuese, ndërsa tani kemi një kombëtare, pasi përfaqësohen të gjithë shqiptarët. Ashtu siç ka thënë edhe presidenti Armando Duka e kemi mbështetur Kosovën dhe duhet parë si një mundësi për zhvillimin e sportit dhe jo si përfaqësim në vetvete. Duhet ta shohin si mundësi zhvillimi ndoshta në të ardhmen të shpresojmë në një bashkim”, tha Cana.
Lorik Cana mbetet lideri i kombëtares, teksa dëmtimet e kanë shoqëruar këtë sezon. Megjithatë 33-vjeçari ka zhvilluar 25 ndeshje me Nantë, duke ruajtur një ritëm të kënaqshëm. Sensi i humorit është i lartë dhe ky është një tregues pozitiv në aspektin psikologjik që mbizotëron përreth skuadrës.
“Kam luajtur mjaftueshëm, 25 ndeshje me skuadrën, 7 me kombëtaren dhe për një sezon është numër i kënaqshëm. Kam ritëm, kam vuajtur pak nga mesi, problemet e pleqnisë (qesh), por tani jam mirë. Kemi dy javë në dispozicion, por do të jemi gati. Pushimet nuk i kam rezervuar, ku nuk e di, por datën, pas 11 korrikut”, përfundoi Cana.