Noka: Populli nuk mban më, as opozita nuk e mban më popullin

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Flamur Noka deklaroi se qytetarët shqiptarë janë të lodhur nga keqqeverisja e kryeministrit Rama përgjatë këtyre viteve dhe nuk mbajnë më.
Sipas tij, varfëria dhe papunësia po zbraz Shqipërinë nga shtetasit e saj si kurrë në histori.
Me bindjen se do të jenë të shumtë ata që do t’u bashkohen në protestën e 27 janarit, Noka paralajmëroi kolegët socialistë se aty do të shohin forcën e popullit që sot po përbuzin dhe të cilin sipas tij as opozita nuk e mban dot më.
Flamur Noka: Asnjëherë nuk kishte ndodhur që një mazhorancë pa bërë 6 muaj nga konfirmimi të ndodhej e zvenitur, e kalbur dhe rrënuar në çdo aspekt. Të ngelej në këmbë vetëm aritmetikisht. Është hera e parë dhe është vetëm mazhoranca e Edi Ramës. Ju të gjithë, por më mirë se ju Edi Rama e dinte shumë se ishit të krijuar si mazhorancë falso dhe jo reale. Mazhoranca nga votat e krimit dhe drogës.
Kjo është arsyeja pse filluat t’i mbyllni gojën opozitës, sepse ju i trembeni të vërtetës. Ndaj bëtë gjithçka që këtë Parlament ta zhysni çdo ditë e më shumë drejt kotësisë, deri në kufijtë e absurdit. Çdo gjë që keni sjellë këtu nuk ka lidhje me realitetin që jetojnë me shqiptarët, por vetëm me një realitet virtual që sillet dhe pshtillet në kokën e Kryeministrit tonë.
Kjo është një revoltë e madhe që njerëzit bëjnë ndaj një qeverie që nuk punon për ta. Po zbrazet Shqipëria. Atë që nuk e bëri dot asnjë pushtues po ua bën shqiptarëve Edi Rama. 250 mijë shqiptarë. Meqë është viti i Skëndërbeut, në kohën kur Perandoria Osmane pas vdekjes së Skëndërbeut mësyu në trojet e Arbrit nuk ka pasur arrati kaq të madhe sa në këto vite që qeveris Rilindja me Skënderbuçin e Spiropalit.
Ju qeshni se e keni në terezi, miliardat i keni bërë, në luks jetoni, shqiptarët nuk kanë bukë. As ua ndjen. Po t’u shqetësojë në telefon ndonjë kriminel çoheni me vrap në këmbë t’i zgjidhni hallin, po t’u shqetësojë ndonjë oligark për të ndarë para. Se çfarë bëjnë qytetarët as nuk shqetësoheni fare.
Despotet kanë pasur gjithmonë një fund të dhimbshëm, ky fat do t’u presë. Ka ardhur një moment që qytetarët nuk kanë pse të kenë më frikë prej jush se i keni çuar buzë humnerës. Pasnesër do ta shihni me sytë tuaj sesi do t’u shembet para syve tuaj maskarada që keni ngritur. Populli nuk mban dot më, popullin nuk e mban dot më as opozita. Pasnesër, në 27 në orën 12:00 do të shihni forcën e popullit që keni përbuzur për t’iu dhënë sinjalin se shporrja juaj është shumë e afërt.

Artikulli paraprakKryemadhi: Shqiptarët do ta tërheqin zvarrë Edi Ramën
Artikulli tjetërNishani: Zemërimi popullor e tejkalon dimensionin politik