Dy ditë përpara protestes së opozitës, ish-kreu i shtetit Bujar Nishani i jep mbështetjen e tij kësaj të fundit. Gjatë një interviste për Ora News nga Shkodra, Nishani deklaron se ajo del përtej dimensionit politik, pasi shqiptarët përmes këtij reagimi shprehin publikisht mos dakortësinë me realitetin që jetojnë dhe problematikat që përballen. “Gjykoj që sot protesta është përtej dimensionit të objektivave politike të një partie të caktuar ose thjesht opozitës. Është një mundësi për të treguar që shqiptarët atë mosdakordësi me realitetin që jetojnë dhe që e shprehin në familje apo mes miqsh ta demonstrojnë edhe në formë publike”. Duke komentuar situatën politike që po kalon vendi, ish-presidenti e sheh me shqetësim konfliktualitetin e shtuar, i cili sipas tij burimin e ka tek zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat në gjykimin e Nishanit minuan proçesin e demokracisë. “Ka një konfliktualitet të shtuar. Zgjedhjet e fundit parlamentare e minuan procesin e demokracisë. Kjo frymë po rrezikon edhe integrimin europian, prandaj kërkon nga klasa politike të japë maksimumin e saj për të mos e ndalur këtë rrugë të nisur”. Si ish-kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Nishani analizon edhe zhvillimet me Reformën në Drejtësi, për të cilën thotë se tendenca për ta kapur ka nisur që në 2014-ën, kohë kur ai mbante detyrën e Presidentit të Republikës. “Ka kulmuar me futjen brenda mekanizmave të individëve që janë subjekt i drejtësisë, ekstremistë ideologjik dhe politik. Nuk pranon të japë këshilla publike për pasardhësin e tij Ilir Meta, por e sheh thelbësore dëgjimin që i duhet bërë këtij institucioni, si dhe moskufizimin e veprimtarive të tij kushtetuese e ligjore. “Padyshim çdo rast që unë mund të kem kontakt me Presidentin e Republikës sot dhe në të ardhmen dhe në rast se do trajtohen biseda do të jap mendimin tim”.
Deklaratat ish-Kreu i Shtetit i bëri pas ceremonisë përkujtimore të 73-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe, ku u shpall nisma kombëtare për gjetjen e eshtrave të 4500 të pushkatuarve pa gjyq. Shqipëria po qeveriset nga ish-Partia e Punës. Kështu u shpreh ish-Presidenti Bujar Nishani gjatë një takimi me ish-të përndjekurit politikë. Nishani ka folur për aktualitetin politik në vend, ndërsa theksoi se nëse vjet kanë ikur nga Shqipëria 300 mijë shqiptarë, këtë vit po ikën dyfishi i tyre.
Nga Malësia e Madhe, ku ai u takua me ish-të përndjekurit politikë, Nishani deklaroi se shqiptarët kanë motiv të madh për t’iu bashkuar protestës së 27 janarit. Sipas tij, Reforma në Drejtësi po drejtohet nga të korruptuar dhe bandat. “Shqipëria po qeveriset nga ish-Partia e Punës. Nëse në 2017 janë larguar 300 mijë shqiptarë, këtë vit po largohen dyfishi. Reforma në Drejtësi nuk mund të funksionojë me drejtues të korruptuar dhe bandave. Më 27 janar shqiptarët kanë motiv të madh për protestë, humbjen e shpresës, mungesën e punës, krimit të organizuar dhe mungesës së shtetit”, tha Nishani. Bujar Nishani u nderua me titull mirënjohje nga Unioni Mbarëkombëtar i të Përndjekurve në Malësinë e Madhe.