Lirohet nga burgu Edmond Stafa, vëllai i ish-deputetit socialist në Elbasan, Bukurosh Stafa. Stafa u arrestua në maj të vitit të shkuar, pasi ishte në kërkim nga Interpoli për trafik ndërkombëtar droge. Edhe pse në kërkim ndërkombëtar, ai kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, madje ishte kthyer në një biznesmen të sukseshëm në Shqipëri. Një qytetar nga Elbasani i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku i shkruan se edhe në Elbasan u lirua Mond Stafa, vëllai i ish-deputetit Bukurosh Stafa.
“Edvin Kristaq Rama liron nga burgu vëllain e ish-deputetit socialist, Mond Stafa! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Edhe në Elbasan u lirua Mond Stafa, vëllai i ish-deputetit Bukurosh Stafa që ishte arrestuar për llogari të Interpol Romës, sepse ka një dënim 10-vjeçar për të kryer në Itali për trafik drogërash të rënda, heroine dhe kokaine. Kjo është Reforma në Drejtesi e Edi Ramës doktor”, shkruan qytetari nga Elbasani.
Edmond Stafa, pronar i hotel bar restorant “Skampini”, një nga hotelet më të njohur në Elbasan, që ndodhet në zonën e Kalasë u arrestua në maj të vitit të kaluar, brenda ambjenteve të lokalit të tij. Arrestimi u bë vetëm dy ditë, pasi Rama zhvilloi një miting me gratë socialiste në amfiteatrin e lokalit luksoz të Edmond Stafës. Vendi ka qenë i përzgjedhur nga PS e Elbasanit dhe Taulant Balla, i cili është drejtues politik i PS në Qarkun e Elbasanit.
Organi i akuzës ka hedhur dyshime se në këtë biznes ka investuar paratë e përfituara nga trafiku i drogës. Bëhet e ditur se, pasi kishte marrë dënimin me 10 vjet burg në Itali, Edmond Stafa nuk është marrë me trafik droge, por vetëm me biznesin e tij. Ai arriti të privatizojë lokalin brenda Kalasë së Elbasanit dhe të gjitha ambientet brenda tij ku ka ndërtuar edhe një amfiteatër.
Privatizimi është bërë me mbështetjen e kreut të Bashkisë, Qazim Sejdini ku ka influencuar edhe vëllai i tij që ishte deputet i zgjedhur nga PS. Lokali luksoz brenda Kalasë është arritur të rikonstruktohet dhe zgjerohet falë sponsorizimeve që ai kishte bërë për PS-në dhe investimit për të bërë deputet vëllain e tij.
Biznesmeni Edmond Stafa, i njohur për mbështetjen financiare që i ka bërë Partisë Socialiste, rezultonte i dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Bergamos në Itali për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe të organizatës kriminale.
51-vjeçari, Edmond Stafa është vëllai i Bukurosh Stafës, ish-deputet i PS, i cili njihet për influencën e tij në këtë qytet. Bukurosh Stafa ka qenë deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit në periudhën 2005-2009.
Edmond Stafa ka investuar për ngjitjen e shkallëve të karrierës të vëllait të tij, Bukuroshit. Buklurosh Stafa është bërë kryetar i Qarkut Elbasan pas sponsorizimeve të të vëllait, por njëkohësisht njihet si mik i ngushtë i kryetarit të Bashkisë, Qazim Sejdini. Prokuroria ka nisur hetime ndaj bashkëshortes së kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini për përfshirje në trafikun e 8 ton drogë që u kap në janar të vitit të kaluar në Itali.