Ronaldo rrezikon

Reali i Madridit në panik. Dy ditë përpara finales së UEFA Champions League kundër Atleticos, skuadra e Zinedine Zidane rrezikon seriozisht të luajë pa Cristiano Ronaldon. Portugezi që nuk po gjen paqe nga një dëmtim muskular ka ndier sërish dhimbje, duke braktisur stërvitjen. Ky problem e kishte mbajtur jashtë edhe në dy gjysmëfinalet kundër Manchester City-t. Gjatë ndeshjes brenda familjes, Ronaldo u përplas me Carvajal në një duel, duke përfunduar mbi portierin Casilla.
Stafi mjekësor hyri menjëherë në fushë, duke e larguar portugezin nga qëndra stërvitore. Stafi drejtues u alarmua, pasi një mungesë e mundshme e numrit 7 në finalen e Milanos, i ul ndjeshëm shanset e suksesit për “Los Blancos”. Gjithsesi, pavarësisht panikut që ka mbërthyer klubin, trajneri Zidane u përpoq të qetësojë tifozët.
“Ndjeu dhimbje dhe u largua në stërvitja për të mos rrezikuar. Besoj se do të jetë gati për të shtunën, pasi edhe forma fizike që gëzon është shumë e mirë. Po kështu jam optimist edhe për James dhe Arbeloan”, deklaroi Zidane.
Sipas mediave pranë klubit madrilen, Ronaldo ka marrë dy ditë pushim gjatë të cilave do të ndjekë një program rehabilitues. Ndërkohë, mungesa e vetme e sigurt për Real Madrid do të jetë francezi Varane, i cili rrezikon gjithashtu edhe Europianin.
Zidan i ka sytë nga ylli i skuadrës së tij, Ronaldo. Ky i fundit nuk është në formë të mirë fizike dhe vazhdon të ketë frikë nga një dëmtim i mundshëm. Për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme, stafi i Realit vendosi t’i japë Ronaldos një plan personal për stërvitjen. Parashikohet që portugezi të mos marrë ngarkesë shumë të lartë fizike dhe të stërvitet më pak se të tjerët. Dëmtimi në shpinë përpara disa javësh duket se nuk është kaluar plotësisht dhe portugezi kërkon të mos rrezikojë pjesëmarrjen në finalen e Milanos. Ai dëshiron të jetë në fushën e lojës për të udhëhequr “galaktikët” drejt një suksesi të mundshëm, në një sfidë e cila është shumë speciale për të dhe skuadrën e Realit.
Pak ditë nga finalja e Ligës së Kampioneve, Zinedin Zidan ka marrë dy lajme negative. Rafael Varan është dëmtuar dhe e ka të pamundur që të marrë pjesë në këtë ndeshje vendimtare për “galaktikët”, ndërsa Kristiano Ronaldo ndien shqetësime në shpinë dhe nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i një muaji më parë. Tekniku francez duhet ta përgatisë ndeshjen ndaj Atletikos me këto dy probleme të mëdha.
Mbrojtësi francez ka pësuar një tërheqje muskulore të gradës së dytë dhe e ka të pamundur që të marrë pjesë në finalen që do të luhet të shtunën e ardhshme. Megjithatë, Zidan nuk e vuan shumë këtë dëmtim të mbrojtësit, pasi nuk ishte planifikuar si titullar. Në repartin mbrojtës do të luajnë si gjithmonë Ramos dhe Pepe, ndërsa Varan ishte zgjedhje e tretë për trajnerin e “galaktikëve”. Futbollisti i Realit rrezikon pjesëmarrjen në Europian dhe Franca në këtë mënyrë mund të humbasë një lojtar shumë të rëndësishëm në mbrojtje.

Artikulli paraprakMilani në udhëkryq
Artikulli tjetërHitzfeld: Bayerni nuk shpenzon shuma të mëdha