I hapur për Realin

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino është i hapur për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të kampionëve spanjollë dhe europianë në fuqi, Real Madridin, ndërsa hodhi poshtë mundësinë e transferimit të tij në drejtimin e Barcelonës apo Arsenalit. Zinedine Zidane e udhëhoqi Real Madridin në fitimin e La Liga-s dhe Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, por francezi po lufton për të mbajtur punën e tij mes dështimeve të “Los Blancos” në edicionin 2017-2018. Sezoni i Real Madridit mori një tjetër goditje të mërkurën, kur skuadra e Zidane u eliminua që në çerekfinalet e Kupës së Mbretit nga Leganes. Pochettino është i lidhur me Real Madridin, mes pasigurisë mbi Zidane, teksa ish-trajneri i Espanyol nuk refuzoi të kalojë në “Santiago Bernabeu”.
“Unë jam aq i qartë! Kurrë nuk do të jem trajner i Barcelonës dhe Arsenalit, sepse jam i identifikuar me Tottenhamin dhe Espanyol. Jam rritur në ‘Newell’s Old Boys’ dhe nuk do ta menaxhoj ‘Rosario Central’. Ky është vendimi im, sepse më mirë preferoj të punoj në fermën time në Argjentinë sesa në disa vende, por angazhimi im është masiv në këtë klub. Por, në fund të fundit, është si me lojtarët, nuk e di se çfarë do të ndodhë në futboll. Ka shumë zëra për këtë. Nesër, presidenti i Tottenham, Daniel Levy, mund të ketë një natë të keqe dhe të thotë: ‘Oh, unë do t’ju shkarkoj, Mauricio’. Dhe pastaj dukem budalla, duke thënë se nuk do të punoj në një vend apo në një vend tjetër. Nuk e dini të ardhmen kurrë në futboll, ky është problemi, është një situatë shumë e paqëndrueshme”, u shpreh Pochettino.
Tottenham është i pesti në Premier League, pas 24 ndeshjesh, dy pikë larg nga Liverpool i vendit të katërt dhe 20 pikë pas udhëheqësve të arratisur të Manchester City. “Spurs” do të jenë mysafirë të Newport County në “FA Cup”, të shtunën, para se të presin Manchester United të mërkurën.
Ndërkohë, Toni Kroos është duke e menduar seriozisht largimin nga Real Madridi verën e ardhshme. Mesfushori gjerman tashmë u ka thënë miqve të afërt se nuk ndihet i rehatshëm në radhët e një skuadre që momentalisht udhëhiqet nga Zinedine Zidane, raporton “Don Balon”.
Ai konsideron se skuadra e ka humbur ndjesinë për të garuar dhe prandaj është duke e konsideruar mundësinë e largimit dhe nisjes së një sfide të re larg “Santiago Bernabeut”. Ai e di shumë mirë se Pep Guardiola do të ishte i kënaqur ta kishte në skuadrën e Manchester City-t, me Juventusin që po ashtu do t’i trokiste në derë.
E për ta hedhur poshtë mundësinë e braktisjes së Real Madridit njëherë e përgjithmonë, Toni Kroos kërkon që presidenti i klubit, Florentino Perez, ta transferojë mbrojtësin e majtë të Bayern Munichut, David Alaban. Sipas Kroos, ish-bashkëlojtari i tij te Bayerni do të ishte blerja ideale për Realin që ta rikthejë formën.

Artikulli paraprakBuffon: Dua të luaj edhe pas 40-vjetorit me Juven
Artikulli tjetërMou: Sanchez ishte me një këmbë te City