Tahiri në skaf me Habilajt

Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje në faqen e tij sociale Facebook, një foto ku duket ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një skaf me Artan Habilajn. Berisha shkruan se, kjo foto është bërë në vitin 2014, në një plazh të Karaburunit.
“Skafoministri Saimir Trafiku me Habilajt në skaf në një plazh të Karaburunit në vitin 2014!”, shkruhet në reagimin e shkurtër të Berishës.
Mes personave që shihen në skaf është edhe ish-ministri Tahiri. Ish-ministri Tahiri hetohet për lidhje të ngushta me bandën e Habilajve në trafikun e drogës drejt Italisë pas publikimit të disa përgjimeve të grupit ‘Habilaj’ ku këta të fundit implikuan emrin e tij si të përfshirë në trafikun e drogës.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi para tre ditësh zgjatjen me 3 muaj të hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi u mor pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi afati i parë tremujor sapo përfundoi.
Shumë elementë të dosjes Habilaj, të grumbulluar në përgjimet italiane, janë zbardhur nga media. Në përgjimet audio të bandës së Habilajve del se Tahiri ishte anëtar kryesor i bandës. Gjëja e parë, e pahasur në materialet e mëparshme, është fakti se përgjimet audio lënë të kuptohet qartë fakti se ish-ministri Tahiri ka patur kontakte, jo vetëm me Habilajt, por edhe me partnerët italianë të tyre. Me sa duket, ai nuk ka qenë vetëm një ‘lehtësues’ me infrastrukturë dhe influencë shtetërore, por ka zbritur edhe në ‘terren’. Kjo del qartë në bisedën audio, kur njëri prej të përgjuarve i kërkon tjetrit që të mos flasë shumë, “se mos vjen këtu ai, se i ka mbajtur numrin”.
Prokurorët e Krimeve të Rënda, pas dhjetëra veprimeve hetimore, i kanë përcjellë një letër-porosi autoriteteve italiane, përmes të cilës i kërkojnë ndihmë për materiale shtesë për dosjen Habilaj-Tahiri. Ndonëse Prokuroria e Catanias e ka përcjellë fashikullin hetimor që në muajin tetor, prokurorëve shqiptarë nuk u ka mjaftuar ky material për të patur konkluzione të qarta për ish-ministrin e Brendshëm, por edhe për persona të tjerë që ndodhen nën hetim.
Partia Demokratike dorëzoi para një jave në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kopjen origjinale të Policës Ndërkombëtare të Sigurimit për “Audi”-n AA 003 GB, që fakton se Tahiri dhe Habilaj janë bashkëpërdorues të makinës dhe është një provë e qartë e lidhjes mes tyre. Dokumenti u depozitua në Prokurori nga deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili i kërkoi nga organi i akuzës që të hetojë dhe verifikojë këtë dokument, i cili është i mjaftueshëm për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit. Alibeaj u shpreh para mediave se aty dëshmohet bashkëpunimi në vazhdimësi i Tahirit me njërin nga Habilajt, anëtar kryesor i bandës. Ai tha se, Tahiri ka gënjyer që s’ka pasur punë fare me Habilajt, sepse ky është dokumenti që ka treguar se kanë pasur lidhje.
Para disa ditësh prokurorët morën në pyetje edhe shoferin e dytë të ish-ministrit Tahiri. Prokurorët po verifikojnë të dhënat e një takimi mes ish-ministrit me Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge. Takimi mendohet të jetë zhvilluar në vitin 2014 në Greqi.
Po ashtu shoferi i dytë i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që më herët ka qenë punonjës i Gardës së Republikës, Alban Aliaj është thirrur nga prokurorët që po hetojnë dosjen Tahiri-Habilaj. Emri i Aliajt ka dalë pas këqyrjes në sistemin TIMS. Gjatë muajit gusht 2014, Alban Aliaj ka shkuar në Greqi me një automjet zyrtar. Në të njëjtin moment ka shkuar në Greqi edhe Artan Habilaj, në bordin e “Audit” AA 003 GB.
Gjatë pyetjeve në Prokurori ish-shoferi i Tahirit ka pranuar se, Artan Habilaj ka mbërritur në Greqi dy ditë, pasi ministri Tahiri ndodhej në plazh me bashkëshorten. Pas takimit mes të dyve, automjeti “Audi” AA 003 GB me të cilin udhëtoi Artan Habilaj qëndroi në Greqi, kurse vetë Habilaj u kthye në Tiranë me ish-shoferin e Tahirit.

 

Artikulli paraprakFinancieri i Habilajve u ekstradua kur po bëhej i penduar i drejtësisë
Artikulli tjetërGoditja finale për call center, sidomos të voglat