Qindra mijëra shqiptarë në shesh i përcollën një mesazh të fuqishëm Ramës dje, se ditët e tij në krye të narkoshtetit janë të numëruara. Si asnjëherë më parë, shqiptarët u bashkuan në një protestë madhështore përtej bindjeve politike, duke dëshmuar se zemërimi popullor ndaj kësaj qeverie i tejkalon kufijtë e ndarjeve partiake.
Nga makinat me targën e Audit famëkeq të Saimir Tahirit “AA 003 GB”, të thirrjet për drejtësi për Ardit Gjoklajn, këto dhe shumë pankarta të tjera spikatën dje në protestën e opozitës së bashkuar. Mijëra njerëz iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të dalë dhe protestuar para Kryeministrisë, kundër qeverisë së kapur nga krimi dhe droga të Edi Ramës. Liderët e opozitës bënë thirrje për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie antimafia, për të pastruar vendin nga droga e krimi. Protesta ishte paqësore, ndërsa nuk u regjistrua asnjë incident serioz gjatë gjithë kohës së zhvillimit të saj. Në protestë spikatën pa dyshim simbolet që protestuesit dhe të rintjë e PD kishin përzgjedhur për të protestuar.
Targa
Protestuesit që erdhën nga qytete të ndryshme në Tiranë mbanin me vete në automjetet e tyre targën simbol të narkotrafikut shtetëror AA 003 GB. Targa e makinës Audi të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, AA 003 GB është më e famshmja ndër bandat e krimit të organizuar. Makina me këtë targë ishte pronë e Saimir Tahirit dhe, njëkohësisht, përdorej nga banda e Habiljave për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kanabist që më nëntor 2013, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet, deri në tetor 2017, kur Antimafia italiane arrestoi bandën më 2017. Protestuesit mbanin targën AA 003 GB me mbishkrimet “narkoshteti” dhe “të paprekshëm” për të treguar se kanabizimi i Shqipërisë ishte projekt politik i Edi Ramës, i cili vazhdon të jetë përfituesi kryesor i trafikut ndërkombëtar të drogës dhe mbrojtësi i tyre nga drejtësia. Nga përgjimet e Habiljave faktohet se Saimir Tahiri fitonte 5 milionë euro në muaj dhe rreth 20 milionë i përdori në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit për të blerë pushtetin e Edi Ramës. Përdorimi i makinës së ministrit të Brendshëm me targën AA 003 GB nga banda e Habiljave u denoncua nga oficeri Dritan Zagani në tetor 2015.
Portreti i Ardit Gjoklajt
Portreti gjigant i 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj, i vrarë në landfillin e Sharrës, ishte simboli i viktimës nga mafia e plehrave!
Fotografia e tij u stampua në një sipërfaqe 100 metra katrorë me mbishkrimin “Drejtësi për Ardit Gjoklaj”.
Arditi ishte një 17-vjeçar që punonte ilegalisht dhe pa sigurime shoqërore në landfillin e plehrave në Sharrë. Ai ishte një biznes i përbashkët i një firme private me Bashkinë e Tiranës, që u promovua nga Erion Veliaj si burim punësimi i sigurt. Bashkia dhe firma e fshehën vrasjen aksidentale të Arditit për të fshehur përgjegjësinë penale dhe morale për vdekjen e Arditit, që punonte në landfill për të siguruar paratë për librat e shkollës. Deri tani nuk ka asnjë përgjegjës, sepse Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka ndërhyrë për mbylljen e dosjes së vrasjes së të riut Gjoklaj nga mafia e plehrave!
Të rinjtë demokratë vendosën edhe spila në xhaketa me mbishkrimin Drejtësi për Ardit Gjoklaj!
Policia Bashkiake largon me urdhër, portretin e Ardit Gjoklajt
Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit hoqën pankartën për Ardit Gjoklajt. “Bravo çunat” nuk dhanë asnjë shpjegim, por thanë se “kemi urdhër ta bëjmë këtë”.
Asnjë ligj nuk detyron marrjen e lejes nga Bashkia që disa qytetarë të mbajnë një banderolë në dorë.
Kurora e mbretit të kanabisit, Edi Rama
Disa të rinj të PD përdorën një instalacion si kurorë mbretërore për mbretin e kanabisit Edi Rama. Kurora është me diametër 2 metra dhe në krye të gurëve të çmuar të krimit është portreti i Edi Ramës. Kurora është simbol e faktor se këto 5 vjet, Edi Rama ndërtoi në Shqipëri Mbretërinë e Krimit dhe të Drogës. Bashkëpunëtorët e Ramës për të blerë pushtetin dhe për ta mbajtur atë janë vendosur në kurorë me portretet e Saimir Tahirit, Moisi Habilaj, Emiljano Shullazit, Lul Berishës, Kelment Balilit. Pjesë e këtij instalacioni është edhe një divan, ku Edi Rama është i ulur me të njëjtët kriminelë. Për të mbrojtur këta dhe nëpërmjet tyre pushtetin e vet, Rama ka nisur marrjen e drejtësisë nën kontroll. Disa prej tyre kanë dalë nga burgu, të tjerë nuk kapen nga policia edhe pse u dihet vendndodhja dhe për pjesën tjetër po dështohen hetimet.
“Banditët në burg, jo në qeveri”
Protestuesit veshën Edi Ramën me rrobën e të burgosurit. Manekinët si të burgosur janë disa nga figurat më të njohura të krimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri, Emiljano Shullazi, Lul Berisha, Kelmend Balili, Moisi Habilaj, si dhe mbështetësit e tyre kryesorë politikë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri. Një nga slloganët kryesorë të protestës së opozitës është “Banditët në burg, jo në qeveri”. Prandaj protestuesit tundin prangat e drejtësisë!
Të rinjtë mbajnë fshesat me simbolikën, se Shqipëria duhet të pastrohet nga krimi
Të rinjtë mbajtën fshesat për të simbolizuar se Shqipëria e ka jetike të pastrohet nga krimi. Siç tregohet edhe në banderolat që ata mbanin në duar, krimi, bashkë me Edi Ramën po e mbajnë larg vendin nga Bashkimi Europian. Një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave është lufta kundër krimit të organizuar, por atë nuk mund ta bëjë një kryeministër që ka ardhur në pushtet nëpërmjet krimit dhe e mban pushtetin me kriminelët. Protesta para Kryeministrisë e thirrur nga opozita kaloi pa incidente dhe mund të konsiderohet ndër protestat më masive dhe paqësore që është mbajtur në vend. E ndërsa protestuesit u shpërndanë, para godinës së Kryeministrisë mbetën dordolecët me fytyrat e Edi Ramës, Elvis Rroshit, Mark Frrokut dhe Moisi Habilaj. Protestuesit gjithashtu lanë në bulevard instalacionin si kurorë mbretërore për mbretin e kanabisit, që është Edi Rama.