Mësuesi denoncon nepotizmin në shkollë, shkarkohet nga puna

Denoncimi që ai bëri për drejtorin e shkollës artistike “Naim Frashëri” në Vlorë, e nxori atë në rrugë. Bëhet fjalë për mësuesin e flautit, Aristotel Qëndro, i cili është hequr nga puna. Rasti është denoncuar sot në emisionin investigativ “STOP”.
Mësuesi ka thënë se, 4 mësues të shkollës shtetërore jepnin mësim në një shkollë private, me lejen e drejtorit të shkollës.
“Unë dhe dy kolegë të mi, kemi denoncuar drejtorin e shkollës dhe disa mësues për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe shkatërrim të shkollës. Në shkollën “Naim Frashëri” ekziston nepotizëm, ku punojnë 12 mësues, që janë 6 çifte bashkëshortësh. Gjithashtu 4 mësues punojnë në një shkollë private. E pas këtyre denoncimeve unë pushohem nga puna”, ka thënë mësuesi i flautit, Aristotel Qendro.
Mes të tjerash ai ka thënë se, në pozicionin e tij tani ka vajtur një mësuese me shkollë të mesme.
I pyetur për arsyet e largimit nga puna të mësuesit Qëndro, drejtori i shkollës “Naim Frashëri”, Vasillaq Gazhga, ka thënë: “Zoti Qëndro ka qenë mësues, në vitin shkollor 2014-2015, ai këmbëngulte të mos e dorëzonte regjistrin. Ky regjistër është bosh pa hedhur as orar, pa hedhur as nxënës, notat”.
I pyetur nga gazetari se çfarë është nepotizmi, drejtori u përgjigj: “Unë nepotizmin ua mësoj të tjerëve. Unë i kam gjetur të 6 çiftet në shkollë kështu siç janë sot”.

Artikulli paraprakFagja e parë
Artikulli tjetërRama zyrtarizon aferën Skavica, PD: Koncesioni korruptiv do të zhbëhet