Ekzekutimi në Tiranë, autorët prej një jave në ndjekje të viktimës

Personi i vetëm i ndaluar nga policia e kryqytetit si bashkëpunëtor në vrasjen e Devi Kasmit është Mario Meshini. Mario Meshini, i ndaluar një ditë më parë nga Policia e Tiranës, dyshohet se është bashkëpunëtor i Domart Konjarit në vrasjen e Devi Kasmit. Sipas uniformave blu, i riu dyshohet se ka ndihmuar autorët që të largohen nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit.
Menjëherë pas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit ka reaguar avokati i Meshinit, Ferdinand Doja. Sipas mbrojtësit, Meshini ka parë të gjithë ngjarjen ku ishte ekzekutuar Kasmi dhe vetëm pak çaste më herët kishte komunikuar me viktimën në telefon. Avokati shton se, i ndaluari i policisë po mbahet në paraburgim pa prova, pasi viktima dhe Meshini ishin miq dhe nuk kishin konflikt ndërmjet tyre.
Policia e kryeqytetit ka shoqëruar rreth 20 persona, si dëshmitarë në vendngjarje, por edhe familjarë të viktimës Devi Kasmi. Ata u lanë të lirë pas marrjes në pyetje. Zyrtarisht emri i vetëm që ka të skeduar Policia e Shtetit si porositës i vrasjes së 42-vjeçarit është Domart Konjari, i cili prej dy vitesh ndodhet në arrati.
Mënyra mafioze e ekzekutimit të Devi Kasmit ishte menduar mirë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se atentatorët kishin rreth një javë që ishin vënë në ndjekje të 42-vjeçarit. Kjo gjë ka dalë nga pamjet filmike të sekuestruara në palestrën e viktimës Kasmi, pranë Buleveardit “Zogu i Parë”. Dy persona ishin fiksuar nga kamerat, ku dallohej një motor me dy persona me skafandër, të cilët dyshohen se mund të kenë qenë ata ekzektuorët e Devi Kasmit.
Fakti që viktima lëviste i armatosur, sipas policisë dyshonte se ndaj tij mund të kryhej një atentat. Uniformat blu konfirmojnë se, Kasmi nuk kishte bërë kallzim në Drejtorinë e Policisë, pas dyshimeve të krijuara por, ishte mjaftuar vetëm duke kufizuar lëvizjet.
Devi Kasmi, u qëllua me dy plumba në kokë dhe sipas uniformave blu, autor i dyshuar është Domart Konjari. Pistat që hetohen janë prishja e pazareve të drogës si edhe konfliktet e vjetra të bandave të Tiranës. Kasmi ka qenë mik i Franc Konomit, një nga të fortët e bandës së rrugës “Bardhyl” i vrarë në verë të vitit 2010, në një atentat pranë zonës së “9 katësheve” në kryeqytet.
42-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, ndërsa mësohet se atje ka tentuar të vrasë Domart Konjarin pas përplasjes për pazaret dhe zonat e tregtimit të kokainës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kasmit u gjetën 3 kilogramë kokainë si dhe një armë zjarri kallashnikov e fshehur poshtë krevatit.

Artikulli paraprakSekuestrohen në Greqi mbi 400 kg drogë nga Shqipëria
Artikulli tjetërManjani: Mbi çfarë ligji i paguhet qiraja e shtëpisë Arta Markut?