Seanca stërvitore e paradites për Kombëtaren është zhvilluar në kushte mjaft të mira. Me një përmirësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike, me një kohë të bukur me diell dhe temperaturat që kanë arritur deri në 27 gradë në orët e para të mëngjesit. Ndoshta edhe për këtë arsye, nxemja e kuqezinjve ka zgjatuir diçka më pak se ditët e tjera rreth 15 minuta, ndërkohë që gjithë seanca stërvitore ka zgjatur për 1 orë e 45 minuta me stafin teknik të kombëtares që duket se po rrit minutazhin dhe ngarkesën fizike në këmbët e futbollistëve ditë pas dite në mënyrë progresive. Pas nxemjes skuadra është ndarë në dy grupe, njëri nën drejtimin e Erjon Bogdanit dhe tjetri nën atë të Ervin Bulkut me dy ish- futbollistët që kanë ndjekur programin e detajuar të përgatitur që më parë nga stafi ku ajo që bie në sy është larmia e ushtrimeve dhe kombinimi i tyre, diçka që është konstatuar madje edhe në punën e portierëve që kanë vijuar nën drejtimin e përgatitësit të tyre, Ilir Bozhiqi.
Pjesa më interesante i përket si gjithmonë taktikës nën drejtimin e Paolo Tramezzanit. Këtë herë fokusi ka qenë te taktika e mbrojtësve me topin dhe presingu që duhet të ushtrojnë për rikuperimin e tij. Kështu përballë njëri-tjetrit janë rreshtuar dy grupe, katër mbrojtës që alternoheshin kundër katër mesfushorëve, ndërkohë që sulmuesi Bekim Balaj vepronte si sulmues në linjën e mbrojtjes, ushtrim ky i përsëritur më pas edhe me dy ose tre sulmues për të simuluar situata nga më të ndryshmet që mund të hasen gjatë ndeshjeve zyrtare.
Mjaft aktiv dhe i gatshëm për të dhënë udhëzimet e tij ka qenë padyshim edhe trajneri De Biasi, që këtë herë kishte braktisur kodrinën ku ishte vendosur një ditë më parë, duke gjetur më tepër komoditet në tribunën aty pranë. Faza e fundit e stërvitjes i ka përkitur ekskluzivisht sulmuesve dhe goditjeve drejt portës, Cikalleshi dhe Lila, ndërsa kryenin testet e antidopingut u bashkuan në këtë fazë të fundit me grupin, pasi kryen edhe ritualin e nxemjes. Me topat që vinin nga të dy krahët detyra e sulmuesve ishte goditja e portës dhe perfeksionimi i goditjeve për të arritur te ai që të gjithë presim prej tyre, golave që do të çojnë peshë zemrat e shqiptarëve në Europian.