Shkëlzen BERISHA
Ndonëse dështoi me turp për t’i ofruar publikut qoftë dhe një fakt të vetëm që më lidh mua, aktivitetin tim, kontaktet ose të ardhurat e mia me privatizimin e OSSH. Edi Rama, kryegjykatësi dhe kryeprokurori i ri i Shqipërisë, në pamundësi për të gjetur, një prokuror, gjykatës apo dhe agjenci shtetërore që do të merrte përsipër të bënte një kallëzim pa prova e fakte, u detyrua t’ja servirte këtë çorbë, të vetmes specie, që mund ta gëlltiste. Tualetit të tij parlamentar.
Me gjithë presionin politik, Prokuroria nuk pati asnjë rrugë përveç se ta pushonte kallëzimin në fjalë. Gënjeshtra për gjoja një premtim takim që dy persona pa asnjë lidhje me mua, i bënin njëri-tjetrit, doli se ishte bërë plot 9 muaj pas përfundimit të procesit të privatizimit, që do të thotë që ky takim (që nuk ka ndodhur kurrë) nuk kish se për çfarë të ndikonte.
Por menjëherë pas shpalljes kryeprokuror dhe kryegjykatës i përkohshëm i Shqipërisë, Edi Rama, dërgoi një flluskë-thirrje të re, me shpresën se do të mund ta përdorë si gjethe fiku për të mbuluar lakuriqësinë e tij, të damkosur nga skandalet, vjedhjet, korrupsioni dhe droga.
Pavarësisht instrumentalizimit politik dhe mungesës absolute të fakteve. Njëlloj siç kam vepruar 4 herë përgjatë teatrit të komisionit hetimor. Si qytetar dhe në respekt të ligjit, i jam përgjigjur flluskë-thirrjes së fabrikuar nga kryeprokurori i narkoshtetit për të dhënë të njëjtat përgjigje që kam dhënë para medias sa herë që kam dalë nga komisioni. Që aktiviteti im, të ardhurat e mia, puna dhe veprimtaria ime, nuk kanë asnjë lidhje me privatizimin e OSSH.
Për ta provuar këtë të vërtetë në rrugë ligjore, kam ngritur padi penale për shpifje ndaj Tualetit dhe Urithit të Ramës.
Por kryeprokurorit të Surrelit nuk i duhet e vërteta, por shashka dhe tym për të mbuluar skandalet e tij.
I kapur nga paniku Rama shpreson të mbulojë 650 milionë euro që sipas KLSH ka vjedhur nga paratë e shqiptarëve gjatë divorcit të “mjaltit” me CEZ.
Provon të mbulojë skandalet qindra miliona euro koncesione që ka shpërndarë pa asnjë kriter tek kompani fantazmë pas së cilave qëndrojnë, miqtë dhe ortakët që plaçkisin taksat e shqiptarëve së bashku me të.
Kërkon të mbulojë pallatet pa faturë dhe bankat me pronarë anonimë të kthyera në lavatriçe parash të pista nga “nusja” e shtëpisë.
Tenton të mbulojë diamantët dhe miliona euro të përdorura për blerje votash, që ai dhe ministri i tij sigurojnë, duke u lënë trafikantëve peng makinat dhe vëllezërit si garanci për paprekshmërinë e drogës që trafikojnë.
Por numërimi mbrapsht ka filluar dhe nuk do të jetë e largët dita kur kryeprokurori dhe kryegjykatësi i përkohshëm, do të lërë rehatinë e sarajeve të Surrelit, për të ndarë fatin e dhomën me marionetat e zullumeve të tij.