Euro hyn sërish në trendin rënës

Monedha e përbashkët e nisi javën e nënçmuar në atë vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer sot me 133.35 lekë, duke shënuar ditën e katërt radhazi me rënie. Euro ka vijuar të mbetet e dobët gjatë muajit të parë të janarit, fenomen i pazakontë sipas ekspertëve, duke qenë se me përfundimin e efekteve sezonale euro rimëkëmb pozitat. Por, me sa duket, edhe pse euro në tregjet ndërkombëtare gjatë janarit kapi nivelet më të larta të këmbimit në tre vite përkundrejt dollarit, niveli më i lartë i këmbimit ishte 133.99, pa mund të kapte pragun prej 134 lekësh.
Aktorët e tregut thonë se kjo është reflektim i ofertës së lartë në valutë dhe i qarkullimit të ulët të parasë gjatë muajit të parë të vitit.
Në tregjet ndërkombëtare euro sot ka qenë e qëndrueshme, duke u këmbyer në nivelin e 1.2442 dollarë. Javën e kaluar euro shënoi nivelin më të lartë të tre viteve, duke u këmbyer me 1.25 dollarë.

Dollari i dobët

Dollari këmbehet poshtë nivelit të 107 lekëve në tregun vendas, duke reflektuar dobësitë që po kalon në tregjet ndërkombëtare.
Ndryshe nga raporti i këmbimit euro/lek, për të cilin aktorët e tregut thonë se është raport i kërkesës dhe ofertës në tregun vendas, për raportin e këmbimit dollar/lek ata argumentojnë se është reflektim i nivelit të këmbimit në tregjet ndërkombëtare.
E thënë ndryshe, edhe pse euro ka shënuar nivelin më të lartë të tre viteve në tregjet ndërkombëtare, niveli i këmbimit në vend ka qenë rezultat i faktorëve të brendshëm.
Euro e dobët në vend ka bërë që zhvlerësimi i dollarit të jetë më i fortë për të ruajtur raportin Euro/ALL=Euro/USD (kursi i kryqëzuar).
Sipas Reuters, analistët presin që euro të vijojë të forcohet përkundrejt dollarit, ndërkohë që monedha e gjelbërt vijon të mbetet e ndjeshme ndaj ecurisë së ekonomisë së Amerikës.

Artikulli paraprakProdhuesit shqiptarë dhe kosovarë paralajmërojnë protesta në doganë
Artikulli tjetërFalja e detit, “Vatra” i kërkon qeverisë transparencë për negociatat me Greqinë