Qeveria e pranon: Numri i bizneseve të huaja u përgjysmua

Sipas statistikave të Ministrisë së Financave në vitin e kaluar numri i bizneseve të reja të huaja të regjitruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve ishte mbi 1000. Ndërsa, gjatë katërmujorit të parë të vitit 2016, janë regjistruar 499 biznese të reja të huaja. Nga këto shifra të dala nga statistikat e Ministrisë së Financave tregohet se në katër muajt e parë janë regjistruar gati gjysma e numrit që u regjistruan vitin e kaluar. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj komentoi një ditë më parë gjatë punimeve të konferencës së mbajtur në Tiranë, “Dialogu i Nivelit të Lartë për Klimën e Biznesit dhe Tërheqjen e Investimeve të Huaja në Shqipëri” se me gjithë vështirësitë e veta, me gjithë atë mesazh të miksuar për klimën e biznesin, bizneset e huaja e kanë Shqipërinë në qendrën e vëmendjes dhe numrat e tyre tregojnë patjetër që Shqipëria ofron fitimin, oportunitetin, ashtu si dhe sfidën, raporton ATSH. Investimet e huaja për vitin 2015 llogariten 884 milionë euro nga 869 milionë euro që ishin në 2014-ën. Ky lajm vjen një ditë pas debateve të ashpra të investitorëve të huaj me Edi Ramën, të cilët i shprehën atij pakënaqësitë e tyre ndaj klimës negative të biznesit që qeveria këto tre vite ka krijuar, duke nxitur largimin e tyre si dhe nxjerrjen e numrit të konsiderueshëm qytetarët pa punë. Aktiviteti i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Investimeve kulmoi kur qeveria u kritikua publikisht nga ish-presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Patrick Pascal. Pascal deklaroi se politika fiskale e qeverisë ka çuar në faliment shumë biznese. “Unë jam Patriku dhe kam një kompani bitumi në Selenicë. Në paketën e parë fiskale kam pasur një shqetësim dhe i kam dërguar letër ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ministrit aktual, Arben Ahmetaj dhe shumë të tjerëve se ajo paketë nuk duhet të kalonte, sepse do të dëmtonte biznesin. Por ajo që ndodhi ishte se paketa u miratua dhe unë u detyrova të heq nga puna 80 persona”, ka thënë biznesmeni i huaj, duke shtuar se dikush të mbajë përgjegjësi për dëmin ndaj biznesit. Por kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin nervoz të Kryeministrit. “Patrik je bërë shumë shqiptar. Kjo ka kaluar tani vërtet do ta tregosh këtë histori? Është rregulluar kjo me paketën fiskale të korrikut”, replikoi Rama. Kohët e fundit qeveria shqiptare po përballet me kritika të shtuara nga disa përfaqësues të njohur të biznesit për përkeqësimin e ambientit të biznesit. Mark Crawford, presidenti i Dhomës Amerikane ka deklaruar publikisht se, largimi i investitorëve të huaj nga Shqipëria është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë. “Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për ‘Albpetrol’-in, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do të jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, ka deklaruar Crawford.

Bizneset vendase në krizë

Kërkesa e bizneseve tregtare për kredi në Tiranë ka shënuar një rënie të fortë në tremujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave, në fund të marsit, huaja për tregti në kryeqytet ra me 1.6 miliardë lekë, apo me rreth 2%. Tkurrja e huasë në këtë segment ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e kredisë për biznesin në Tiranë, por dhe në gjithë Shqipërinë (huaja totale për Tiranën ra me 1 miliard lekë dhe ajo për gjithë vendin me 999 milionë lekë).
Kategoritë e tjera të bizneseve, si në Tiranë ashtu dhe në rrethe kanë reduktuar apo rritur lehtë huanë, ndërsa vetëm për tregtinë në kryeqytet është konstatuar kjo rënie e thellë.
Në Tiranë është dhënë gati 80% e stokut total të huasë në vend. Huaja për tregtinë, po në kryeqytet, në fund të marsit 2016 përbënte 25% të totalit të kredisë gjithsej në vend dhe 31% të stokut të dhënë në kryeqytet.
Në kryeqytet ndodhen dhe pjesa më e madhe e bizneseve tregtare që ushtrojnë aktivitet në vend. Së fundmi, kriza e konsumit, e konfirmuar edhe zyrtarisht (sipas INSTAT konsumi privat ra me 0.2% në 2015-ën për herë të parë që nga viti 2001) dhe pasiguria nga taksat e larta vendore, që për bizneset e mëdha e të mesme janë rritur me disa herë, duket se e kanë vënë në pritje këtë sektor që është mjaft i rëndësishëm përsa i përket vetëpunësimit.

Artikulli paraprakPërmbaruesit çmontojnë ARMO-n, shesin edhe çelsat dhe gjeneratorët për llogari të kreditorëve
Artikulli tjetërDjali shef kabineti në ministri, babai merr 23 tendera