Shehi: Rama, një njeri i degraduar që deri dje flinte poshtë urave

Pas sulmeve të Kryeministrit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, ka reaguar deputeti demokrat, Dashamir Shehi. Në një intervistë televizive Shehi ka thënë se deklaratat e Kryeministrit janë pjesë e llumit me të cilin Rama merret. Shehi ka dashur të theksojë se deklarata e tij për investimet e Turqisë në Shqipëri, duhet kuptuar. Sipas tij në këtë moment që politika e Ankarasë është e turbulluar, vendi ynë duhet të saktësojë pozicionin nga ku do të integrohet, drejt BE-së apo drejt Anadollit. “Janë muhabete për llumin, me të cilat merret Rama. Se kush jam unë më njeh gjithë Shqipëria. Ajo që them unë nuk jemi kundër investimeve, por të mos e ekzagjerojmë me Turqinë. Vuajmë nga dëshira të kemi investitorë europianë, gjermanë e anglezë. Turqve u jemi mirënjohës, por në radhë të parë jemi shqiptarë, duam të hyjmë në Europë. Duke e ekzagjeruar në këtë situatë me këtë turbulencë që ka Ankaraja, duhet të mendojë një burrë shteti: Do shkojmë drejt Europës apo drejt Anadollit. Në sektorë strategjikë, turqit janë gia prezentë. Duhet të tërhiqemi nga turbullirat e Anadollit. Aeroporti është një aferë korruptive. Nuk duhet t’u hapim dyert kujtdo që hedh 5 lekë para derës”, tha Shehi. Lidhur me arsyet pse Kryeministri Rama për herë të dytë përsërit sulmet drejt tij, Shehi tha: “Vuan komplekset e një të padituri, ka një urrejtje ndaj komunitetit të Tiranës, thotë se çdo tirons ha plonc, ky aristokrati i madh që ha haviar… Frikë duhet të ketë Rama. Ai flinte poshtë urave të Parisit. Duhet t’u dalim për zot interesave të Shqipërisë. Me këto pilafrat dhe groshët, merret ai vetë. Mua në fakt më ka marrë malli për këto”, ka thënë Shehi.

Artikulli paraprakBerisha zbulon hotelin e ri 5 kate të Peleshit në qendër të Korçës
Artikulli tjetërVota në OKB për Jeruzalemin, LSI: Rama përdor gjuhë prej naziskini