Vjedhje masive e OSHEE me faturat e energjisë elektrieke

OSHEE vazhdon të vjedhë qytetarët me mbifaturimet e energjisë elektrike. Përditë qytetarë të shumtë i drejtohen zyrave të OSHEE për mbifaturimet e energjisë, por askush nuk i jep zgjidhje këtij fenomeni që po rrjep qytetarët për të mbushur arkën e OSHEE. Njëri ndër ta është edhe Fatmir Stafa, banor në “Kombinat” në rrugën “Bedri Çullaj”. Ai thotë se, ka tre muaj që i vijnë faturat nga 200 mijë lekë në muaj ndonëse nuk harxhon energji më shumë se 48 mijë lekë të vjetra në muaj. Ai tregon edhe librezën e dritave ku në muajin janar fatura i ka ardhur 48 mijë 990 mijë lekë, ndërsa në muajin shkurt 183 mijë e 400 lekë të vjetra. Sipas tij, edhe në muajin prill fatura e energjisë elektrike i ka ardhur rreth 200 mijë lekë të vjetra, por nuk i ka paguar sepse nuk ka patur mundësi.
Kryefamiljari thotë se është ankuar në zyrat e OSHEE disa herë, por askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, ndonëse i kanë thënë se ka të drejtë. “Kur shkova në zyrën e OSHEE, njëri nga zyrtarët më tha duke bërtitur se, i ke tamam kilovatët, duke ia bërë me sy punonjësit tjetër që ndodhej aty. Ata menduan se do ma hidhnin mua. Shkova takova përgjegjësin dhe ai më tha se ke të drejtë se të janë vendosur më shumë para nga se ke harxhuar energjinë, por ne e kemi pushuar nga puna faturistin për këtë shkak. Unë i thashë, dua që të më kthehen lekët se më janë mbajtur padrejtësisht, por ai tha se nuk mund të ndryshohet fatura në sistem”, tregon kryefamiljari Fatmir Stafa.
Ai thotë më tej se edhe vitin e kaluar i kanë aerdhur mbifaturime të energjisë elektrike. “Vajta edhe tek nëndrejtoresha e zyrës së OSHEE që është tek Ministria e Arsimit dhe ajo nuk më dha zgjidhje”, thotë ai.
Vjedha e qytetarëve me energjinë elektrike nga OSHEE nuk bëhet vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Një banor nga Kruja u shpreh para disa kohësh se ishte në emigracion dhe nuk banonte asnjë person në banesë, por OSHEE i kishte dërguar një shkresë se kishte harxhuar 2.2 milionë lekë për një vit, ndonëse në banesë nuk ishte ndezur asnjë llampë dhe asgjë tjetër. Qytetari ishte ankuar tek OSHEE dhe ata i kishin thënë se ke të drejtë, por duhet të paguash lekët sepse faturat janë hedhur në sistem.
Ndërkohë, qindra banorë të Elbasanit ankohen për faturat e energjisë elektrike. Ata shprehen se, janë mbifaturuar dhe në sportelet e OSHEE-së askush nuk u jep zgjidhje. Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme dhe ky fakt i ka revoltuar banorët e Elbasanit. Eshtë shumë i lartë numri i atyre që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.
Zemërimi kolektiv në Elbasan shikohet edhe pranë sporteleve. Ka prej tyre që fatura u ka ardhur me shuma marramendëse. Një invalid thotë se ka qenë për kurim në spital jashtë Shqipërisë, por fatura e energjisë i ka ardhur për tre muaj me një vlerë një milionë e 25 mijë lekë. Ai është detyruar ta paguajë, sepse i janë ndërprerë dritat. Invalidi shprehet se ka shpresuar se zgjidhja do të vinte më pas, por në asnjë zyrë nuk i kanë dhënë zgjidhje.
Edhe banorët e Lezhës ankohen prej muajsh për fatura të larta nga OSSHE. Mbifaturimet, sipas tyre janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët shprehen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre. Qytetarët thonë se nuk gjejnë zgjidhje edhe pas ankesave, të cilat i dorëzojnë zyrtarisht, madje ata denoncojnë edhe faktin se sahatet e tyre nuk vëzhgohen nga asnjë faturist, duke drejtuar vëmendjen nga shteti, i cili sipas tyre po u vjedh hapur.
OSHEE bën vjedhje masive tek të gjithë qytetarët e Lezhës. Qytetarët deklarojnë se ka mbifaturime deri në 897 kw një familje. Familjet e tjera kanë mbifaturime të përsëritura nga janari, shkurti, marsi dhe përsëri edhe në prill. Me gjithë revoltën e qytetarëve, askush nga zyrtarët e OSHEE nuk u jep zgjidhje për mbifaturimet e energjisë elektrike.

R.POLISI

Artikulli paraprakReforma është antonim i Rilindjes
Artikulli tjetërNuk do ketë drejtësi alla Shullaz