Eduard Halimi dorëzon mandatin e deputetit dhe tregon projektin e ri

Për mua ka qenë një privilegj të zgjidhem për të tretën herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve kam kontribuar më përkushtim të plotë në politikë si njeri i çështjeve të drejtësisë.
Sot kam dorëzuar mandatin e deputetit pasi nga nesër i përkushtohem një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një netëork në Ballkan, projekt që është afatgjatë dhe kërkon që vendimin ta marr sot.
Kam qënë një njeri me fat në këto vite sepse kam pasur në krah bashkëpuntorë të shkëlqyer, të përkushtuar e të ndershëm me kontributin e te cilëve arrita të lija gjurmë, por mbi të gjitha që kam dalë faqebardhë nga të gjithë detyrat që kam pasur. Me punën e tyre ata i hoqën mundësinë kundërshtarëve politikë të hidhnin ndaj meje dhe atyre, baltën e kudogjendur në politikë. Ndaj dua ti falenderoj ata të gjithë sot publikisht.
Dua të falenderoj Sali Berishën, që më dha mundësinë të kontriboj ne jetën politike të vendit në këto vite.
Falenderoj Lulzim Bashën, për besimin në detyrat politike prej 2013, për bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite dhe për mirëkuptimin në çdo vendim prej ditës së parë e deri më sot.
Falenderoj të gjithë kolegët e nderuar të grupit parlamentar për gjithë bashkëpunimin në këto vite në politikë.
Së bashku ne i bëmë një shërbim të madh vendit me paketën ligjore të dekriminalizimit dhe paketën kushtetuese të drejtësisë në 22 korrik 2016.
Falenderim dhe mirënjohje për gjithë votuesit e PD në qarkun e Durrësit dhe Beratit që më zgjodhën 3 herë deputet të Kuvendit. Kontributi im në Partinë Demokratike do të vijojë për gjatë gjithë jetës sime si një antar i thjeshtë dhe i përkushtuar.
Falenderim mediave dhe gazetarëve të palodhur për bashkëpunimin në këto vite.
Shihemi së shpejti në një hapësirë tjetër të rrjeteve sociale.
Ju faleminderit të gjithëve, Eduard Halimi

Kush është Eduard Halimi
Eduard Halimi ka lindur në Korçë në 8 dhjetor 1972. Ai është i martuar dhe ka dy vajza, Nikol dhe Elën. Halimi vazhdoi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vtet 1991-1995 nga ku u diplomua për drejtësi. Në vitet 1995-1997 kreu Akademinë e Policisë dhe në vtet 1997-2000 kreu Shkollën e Magjistraturës dhe mori titullin “Magjistrat”. Ka ushtruar profesionin e avokatit deri në vitin 2005 dhe është zgjedhur si ekspert i komisioneve hetimore parlamentare, prej vitit 2002 deri në 2005. Në tetor të vitit 2005 është emeruar Zëvëndësministër i Drejtësisë duke e ushtruar detyrën deri ne emërimin Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, në vitin 2008. Në vitin 2007 është zgjedhur Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u zgjodh Deputet i Partisë Demokratike për qarkun Durrës në Kuvendin e Shqipërisë dhe ushtroi edhe funksionin e Sekretarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u rizgjodh Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Monika Qosja zëvendëson Halimin
Monika Qosja do të jetë deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse e renditur e shtata në Qarkun e Beratit për Partinë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, ajo pritet të marrë mandatin e ligjvënëses brenda 30 ditëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Qosja do të zëvendësojë kështu Eduard Halimin e dorëhequr këtë të premte.
Në listën e Beratit, Eduard Halimi ndiqej nga Astrit Veliaj, Lefter Maliqi, Bujar Hoxhaj, Myslim Haxhin, Juvina Jani. Për shkak të kuotave gjinore, mandati i ish-ministrit të Drejtësisë i kalonte direkt Juvina Janit. Por kjo e fundit, ka deklaruar se do të refuzojë ftesën për t’u bërë anëtare e Parlamentit shqiptar për arsye familjare. Automatikisht mandati i kalon Monika Qosjes.
Eduard Halimi dorëzoi mandatin e deputetit këtë të premte. Siç bën të ditur edhe vetë në postimin e tij në Facebook, arsyeja se përse ish-ministri i Drejtësisë ka marrë këtë vendim është sepse do t’i përkushtohet një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një rrjet ballkanik.

Reagimi i Bashës
Lulzim Basha falenderoi deputetin dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimin për kontributin e tij në politikë, pasi ky i fundit njoftoi pak minuta më parë se do të dorëzonte mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar pasionit të tij, avokatisë. Basha shkroi në Facebook se ka dëshirë për t’a pasur Halimin pjesë të ekipit, por duhet respektuar liria e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
“Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mija më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit”, shkruan Basha.

Artikulli paraprak“Ky raport bën thirrje për ndryshime dhe transformime”
Artikulli tjetërReagimi i Bashës për lënien e mandatit të Eduard Halimit