Seanca e djeshme ishte seanca ku u varros përfundimisht konsensusi kushtetues dhe dispozitat kushtetuese të marrëveshjes së 21 dhe 22 korrikut 2016. Ai konsensus i arritur me aq vështirësi me kontributin e drejtpërdrejtë të zonjës Nuland dhe të komisionerit Han me një rol të jashtëzakonshëm të Komisionit të Venecias, i cili jo vetëm rrëzoi propozimet e vazhdueshme të Partisë Socialiste që synonin kapjen e sistemit të drejtësisë, por dha edhe guidat e padiskutueshme se si duhet të ishte Reforma në Drejtësi. Të gjitha këto u hodhën në kosh në seancën e mbrëmshme. Sigurisht në një proces, i cili ishte korruptuar që kur ligji u ndryshua në mënyrë antikueshtetuese dhe u vendosën filtra që KLP dhe KLGJ janë jashtë Parlamentit në thyerje të marrëveshjes politike dhe të Kushtetutës, të gërmës së Kushtetutës jo vetëm të frymës, nuk kishte si të ndodhte ndryshe që kandidatët që do të dilnin nga ai proces do të ishin të gjithë të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama dhe për rrjedhojë objektivi i Edi Ramës ishte që në çdo rast shorti do të prodhonte rezultatin që ai dëshironte. Pra, sa herë do të futësh dorë për të kapur një kandidat, po aq herë do të kapej Edi Rama.
Nuk mundet që qëllimi i kapjes politike të sistemit të drejtësisë të prishte procesin kushtetues dhe rolin kushtetues të Parlamentit dhe është pikërisht ajo që ka ndodhur në këtë proces që u përmbyll dje. Kandidatët që dolën nga ajo listë, mund të bëj një përmbledhje të shkurtër, kemi dy kandidatë të skualifikuar qartazi pa asnjë ekuivok nga ONM-ja. Kemi dy kandidatë, të cilët kanë qenë persona të përfshirë drejtpërdrejt në dënimin e qytetarëve shqiptarë për politikë në periudhën e komunizmit në rolin e gjyqtarit apo të prokurorit. Kemi një kandidat, i cili është përfshirë në 10 vitet e fundit në politikë, në strukturat drejtuese të partive politike, kriter ndalues. Kemi katër kandidatë që nuk plotësojnë kriteret ligjore, rastet janë akumulative, pasi kandidatët kanë më shumë se një kriter ndalues, nuk plotësojnë kriteret ligjore. Kemi kandidatë, të cilët nuk kanë paguar rregullisht detyrimet tatimore ndaj shtetit. Dhe shtatë prej dhjetë kandidatëve të përzgjedhur me këtë short nuk janë të çertifikuar për sa i përket pasurisë, pra nuk iu është bërë VETTING-u. Të mos harrojmë që ka persona, të cilët për shkak të lidhjeve familjare me funksionarë të drejtësisë apo funksione që kanë pasur si këshilltarë në Gjykatën e Lartë etj, duhet të u ishte bërë VETTING-u për në Sistemin e Drejtësisë. Siç e shihni lista e këtyre kandidatëve është e korruptuar dhe ligjërisht kandidatët nuk plotësojnë kriteret ligjore që janë skualifikuese dhe lista është e korruptuar politikisht për sa i përket të gjithë procesit që ka sjellë tek këta kandidatë të selektuar nga Edi Rama.
Vakancat në gjykata, skenari Rama për futjen e drejtësisë në kolaps
– Zoti Bylykbashi, ju deklaroni që dje nuk ka ndodhur votim, sepse mungonte kuorumi i deputetëve, por debati për kuorumin nuk është i ri në Shqipëri. E kemi bërë veçanërisht për zgjedhjet e Presidentit për tre raundet e para, pasi e zgjedhin kreun e shtetit me 84 vota. Nëse kujtohem mirë, Partia Demokratike atëherë ka mbështetur tezën se mjaftojnë 71 për ta quajtur raundin e parë të ezauruar, të dytin, të tretin dhe me radhë… A keni ndryshuar ju qëndrim zoti Bylykbashi në lidhje me kuorumin e votimit që kërkon shumicë të cilësuar?
Ky debat që ju i referoheni është i vitit 2012. Në fakt, Kushtetuta ka një parasikim krejt të veçantë për Presidentin dhe debati nuk ka qenë ekzakt ky. Kushtetuta ka një parashikim të shkruar e zezë mbi të bardhë që votimet quhen të kryhera në rastin e Presidentit kur nuk ka kandidat. Të tre raundet e para të votimit u quajtën të kryera se për asnjë nga raundet e votimit në vitin 2012 nuk pati kandidat. Ky ka qenë debati i asaj kohe.
Që atëherë ka patur jurisprudencë që ka përcaktuar qëndrimin që po flasim sot. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar më tej situatën në lidhje me kuorumin, duke interpretuar Kushtetutën dhe në vitin 2013 ju kujtoj se për një dispozitë shumë të ngjashme me Kodin Zgjedhor që përcakton vendimmarrjen me shumicë të cilësuar në KQZ, ku duhen pesë vota për vlefshmërinë e një vendimi të caktuar, mbledhja e KQZ të cilët hetuan dhe nxorën shkeljet e jashtëzakonshme ligjore për manipulimin e votave në Lezhë dhe në Shkodër, u quajtën nul nga Kolegji Zgjedhor, pra, nga Gjykata që interpreton dispozitën, sepse përcaktoi fare qartë vendimmarrjet që janë cilësuar kërkojnë kuorum të cilësuar.
Të njëjtën linjë përcakton, duke filluar nga 2009, Gjykata Kushtetuese, dhe në mënyrë fare të qartë e thotë dispozita kushtetuese. Nuk duhet ngatërruar Presidenti me këtë dispozitë që është zbatuar dje nga Parlamenti. Presidenti ka një rregullim specifik që quan të kryera votimet, kur nuk ka kandidatë dhe kjo është situata që ka ndodhur në 2012, jo ajo që ndodhi në Parlamentin shqiptar.
– Do ta vejë Partia Demokratike në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për votimin që ndodhi mbrëmë në Parlament?
Unë ekspozova antikushtetuetshmërinë e proçesit, nulitetin e proçesit përballë Kushtetutës dhe sigurisht që kjo sjell dy pasoja. Goditshmërinë përpara Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër paligjshmërinë dhe antikushtetuetshmërinë e këtyre funksionarëve që i bën ata vulnerabël nesër përballë proçedurave për shkarkim. Këto nuk i duhen drejtësisë shqiptare. Asaj i duhet soliditet. Ankimi në Gjykatën Kushtetuese ju besoj duhet ta keni parasysh që ajo ka pesë anëtarë nga nëntë që ka në numrin e përgjithshëm. Vetëm pesë anëtarë kanë mandat të plotë.
Një anëtar ka mandat të mbaruar, por që vazhdon të qëndrojë në detyrë. Ju e dini se Gjykata Kushtetuese është bllokuar qëllimisht përgjatë dy viteve të fundit nga mazhoranca, vetëm e vetëm që të mos merrej vendim me pesë vota. Dhe rekordi i vendimeve me katër me tre, por mungesa e votës së pestë e ka rrëzuar është 15 ose 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë disa për Reformën në Drejtësi. Partia Socialiste ka bllokuar të gjitha emërimet në drejtësi, gjatë vitit 2017, vazhdon ta bllokojë gjatë vitit 2018, me justifikimin e vettingut vetëm e vetëm për të bllokuar emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Që të plotësohet GJK dhe të vendosë mbi këto shkelje që po ndodhin sot e kësaj dite. Të bllokojë emërimet në drejtësi në mënyrë që të bllokojë zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Parlamenti me shumicë të cilësuar.
Nuk i intereson. Sa kohë ka një këshill të emërimit në drejtësi që i quan të pafavorshme, do të vazhdojë ta bllokojë, në mënyrë që këto organe të sistemit të drejtësisë, të barazvlefshme në rëndësi me KLGJ dhe KLP, të mos ngrihen, sepse nuk i leverdis Edi Ramës. Ne do të gjykojmë me kujdes të gjitha rrethanat. Proçesi i djeshëm ishte nul, nuk ka anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së nga Parlamenti, sipas Kushtetutës dhe e vetmja zgjidhje është rikthimi tek dispozitat kushtetuese. Partia Demokratike ndërkohë ka paraqitur zgjidhjen, duke shfuqizuar nëpërmjet amendamenteve të propozuara për shfuqizimin e këtyre filtrave antikushtetuese.
Sa më shumë vonohet, me çfarëdo rrahje shpatullash, aq më keq do të jetë për sistemin e drejtësisë. Shqiptarëve nuk i duhet kush janë qeveritarët e sistemit të drejtësisë, i duhet drejtësia e thjeshtë, e shpejtë, efikase dhe e pakorruptuar. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende dhe do shumë kohë që të ndodhë. Edi Ramës i intereson të mbrohet ai vetë, Saimir Tahiri dhe i gjithë enturazhi i tij i korruptuar dhe i kriminalizuar që të mos shkojnë përpara drejtësisë.
– Në cilin vendim i referohet kuorumit Gjykata Kushtetuese konkretisht për rastin e votimeve me shumicë të cilësuar. Ju përmendët 29/2009, por cili është konkretisht intepretimi?
Është një vendim për deputetin Ilir Beqja në vitin 2011, në mënyrë specifike, ata interpretojnë që minimumi i kuorumit është 71 për seancat normale, me përjashtim kur kërkohet shumicë e posaçshme. Këtë shpreh Gjykata Kushtetuese në këtë vendimmarrje të saj. Ju përmenda edhe rastin e Kolegjit Zgjedhor, por ju kujtoj faktin që Gjykata e Kosovës anuloi zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pikërisht për këtë arsye, sepse në seancën e zgjedhjes Presidenti i Kosovës i asaj kohe u zgjodh pa kuorumin e kërkuar nga Kushtetuta që duhej të ishte në përputhje me shumicën e cilësuar, pra jo vetëm jurisprudenca shqiptare, por edhe jurisprudenca kushtetuese e krahasuar çon në këtë konkluzion. Çdo ngatërresë me rastin e Presidentit është e pabazë dhe e pavënd për një arsye shumë të thjeshtë. Presidenti ka rregullim specifik, që përjashton bllokimin.
– A jeni për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese pasi Presidenti shpalli vakancat. Kemi KLD pa veting dhe a mund t’i zgjedhim dhe gjyqyarët kushtetues pa vetting?
Reforma në Drejtësi nuk mund të ngatërrojë këmbët e veta. Nuk mundet që institucionet e përcaktuara të drejtësisë të pengojnë njëra-tjetrën. Nëse tani kemi një sistem të shpërbërë të drejtësisë, sistemin e vjetër, boshllëku nuk mund të qëndrojë pa fund. Cenohen të drejtat e shqiptarëve, të pronësisë e të tjera shumë të rëndësishme për ta, cenohen të drejta të personave, të cilët mund të jenë të dënuar në mënyrë të padrejtë, pra jo vetëm interesa të partive politike. Gjykata Kushtetuese sot është në kolaps.
Mjafton vetëm kjo që po ndodh, e vënë në dukje edhe nga Gjykata Kushtetuese, që shqiptarët të mos merren më me drejtësinë shqiptare dhe t’i drejtohen drejtpërdrejtë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe kjo është e rëndë që Shqipëria të marrë një tjetër dënim nga Strasburgu për mosmbrojtje të të drejtave të qytetarëve të saj.
Presidenti i Republikës ka bërë lëvizjen më të fundit në kompetencë të tij. Sigurisht që mazhoranca do të përpiqet të pengojë në plotësimin e vendeve bosh në Gjykatë Kushtetues, do të përpiqet që të pengojë edhe Gjykatën e Lartë të plotësohet. Ju e dini se sot Gjykata e Lartë është në një situatë dramatike për sa i përket anëtarëve. Do të pengohet ngritja e Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Në qoftë se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë organet që bëjnë disiplinimin e gjyqtarëve, nuk është vetëm vetingu. Vetingu nuk mund të jetë si Fronti Demokratik ku të gjithë ankohen, por askush nuk shkon në gjykatë. Trupat që do disiplinojnë gjyqtarët janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe për prokurorët është Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Por ama, nëse nuk ngrihet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë sistemi bie në kolaps. Këtë kërkon sot Partia Socialiste. Nxitimi nuk mund të jetë vetëm për ata që do të zgjedhë Edi Rama. 5 jo gjyqtarët dhe 5 jo prokurorët e KLGJ-së janë vetëm pjesa më e vogël e dy trupave. Nxitim i Reformës në Drejtësi nuk mund të jetë heqja e dëshmitarit kyç Nazer Seitaj për ta hequr nga hetimi në Shqipëri. Ndërkohë po me nxitim sillen dispozita për ta mbrojtur Saimir Tahirin dhe të ngjashëm me rregulloren e Parlamentit. Jo!
Reforma në Drejtësi do të thotë ngritje e SPAK-ut tani dhe jo ngritje e SPAK-ut provizor të Edi Ramës me memorandum bashkëpunimi midis ministrit të Brendshëm dhe prokurores provizore.
– Zoti Bylykbashi ju flisni për një proces antikushtetues dhe antiligjor për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, por mbrëmë pati një reagim nga ambasadori amerikan ku në një farë mënyre bekoi këtë proces, duke thënë se politikanët nga të dyja palët kanë frikë nga Reforma në Drejtësi dhe ai është më i prirur për të besuar një përzgjedhje rastësore sesa një përzgjedhje nga politikanët shqiptarë. A është Partia Demokratike ajo që ka frikë nga Reforma në Drejtësi?
Unë nuk komentoj deklarata të diplomatëve. Ajo që duhet të bëjë unë dhe kushdo tjetër, profesionistë, politikanë apo kushdo është të lexojë të zezë mbi të bardhë, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër nuk ka ndikim mbi vendimmarrjen e organeve kushtetuese shqiptare.
Unë e kam orën më të lirë sesa makina e kryeministrit dhe për rrjedhojë si unë shumica e kolegëve të mi në Partinë Demokratike nuk kemi frikë nga Reforma në Drejtësi.
Këtu jemi, Reforma në Drejtësi të bëjë punën e saj. Ata që duhet të kenë frikë janë ministrat si Saimir Tahiri, ministra të tjerë të korruptuar, kryetarë bashkish dhe Edi Rama që i mban ata. Ky është sikleti e për rrjedhojë, nëse ne do ta bazojmë Reformën në Drejtësi në Kushtetutë dhe jo në memorandume bashkëpunimi dhe çdo lloj forme tjetër. Vetëm atëherë do të kemi drejtësi për shqiptarët, të korruptuarit dhe kriminelët në burg dhe do të na pranojë Bashkimi Europian. Çdo formë tjetër e improvizuar nuk ka vend në shtetin e së drejtës në Kushtetutën shqiptare. Ne nuk e bazojmë drejtësinë tek precedentët. Ne e bazojmë në germën e shkruar të Kushtetutës.
Procesi është nul, lista nuk ekziston
– Ju thatë që një nga kandidatët ka lidhje familjare me kryebashkiakun e Tiranës. Mund të na flisni më shumë për këtë lidhje?
Më tepër se kaq nuk mund të vë në dispozicion. Këto janë informacione të sjella pranë Partisë Demokratike. Mbetet për t’u investiguar. Ajo që është e rëndësishme është që këta kandidatë janë lënë të filtrohen në mënyrë prioritare për të ardhur deri tek kjo listë. Kandidatë të tjerë, të cilët nuk kishin prirjen që i duhesh Edi Ramës kryeministër për të njëjtat kushte janë s’kualifikuar nga filtrat para parlamentare apo nga Sekretari i Përgjithshëm.
Kandidatë, të cilët i ka thënë ONM-ja jo, por i duheshin Edi Ramës kanë kaluar dhe shorti i përzgjodhi. Me procesin që përmbylli dje Edi Rama, edhe ONM-ja u hodh në koshin e plehrave.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit sot ka një vlerë shumë të zvogëluar në raport me atë që kemi parashikuar në Kushtetutë ne sot. E për rrjedhojë, pasojë do të jetë edhe mbi procesin e vetingut. Kur ONM-ja të identifikojë personat e korruptuar në gjyqësorin shqiptar, të bëjë rekomandim negativ për ta, por ata i duhen Edi Ramës, ju siguroj që ata do të kalojnë të gjithë procesin e vetingut.
– Ju theksuat se lista e miratuar dje është nul, ndërkohë që PD ka një vendim për ta rinisur edhe një herë procesin, në qoftë se po nga cila pikë?
Partia Demokratike ka bërë veprimet themelore në procesin e Reformës në Drejtësi, ka dhënë konsensusin për Kushtetutën me datë 22 korrik. Që do të thotë, parashikoi një proces, i cili do të ishte i pastër dhe në përputhje me Komisionin e Venecias, ku kandidatë të ligjshëm do të kishin mundësinë të përzgjidheshin nga një trupë parlamentar.
Dhe nëse kandidatët e ligjshëm nuk do të përzgjidheshin me një konsensus politik, këta kandidatë të ligjshëm do të përzgjidheshin shumë mirë edhe me short. Por ne kemi një proces antikushtetues, kemi kandidatë të paligjshëm e për rrjedhojë, shorti nuk mund të përzgjedhë asgjë tjetër përveç paligjshmërisë.
Një ekspert amerikan, nga më të mirët në fushën dhe doktorinën e të drejtës, kryesisht asaj zgjedhore në vitin 2003, në rastin kur Shqipëria kërkonte të zgjidhte anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në atë kohë organ kushtetues me short, u shpreh: “Shorti nuk sjell asnjë garanci që sjell kandidatët më të mirë dhe më profesionistë për një organ kushtetues”.
Pavarësisht kësaj, ne të gjithë ramë dakord, opozita dha konsensusin për mekanizmin zhbllokues. Por ajo që duhet të kuptohet është: Mekanizëm zhbllokues me kandidatë të ligjshëm në një proces kushtetues. Dje, ne kishim kandidatë të paligjshëm, një proces antikushtetues, për rrjedhojë nul dhe për rrjedhojë lista sot nuk ekziston.