Bale vlen 222 milionë euro, sa Neymar

Përfaqësuesi i uellsianit Gareth Bale, Jonathan Barnett, ka thënë se lojtari i tij, që luan me Real Madridin, ka një vlerë prej të paktën 222 milionë eurove, të njëjtin çmim, sa është paguar verën e kaluar nga PSG-ja për të nënshkruar me brazilianin Neymar. Barnett, gjithashtu, konsideron se Bale do të konkurrojë në të ardhmen për të fituar “Topin e Artë” dhe theksoi se uellsiani është shumë i lumtur te Real Madridi, në një intervistë të botuar dje nga e përditshmja sportive italiane, “Tuttosport”. “Klienti im vlen të paktën 222 milionë euro, sa Neymar. Por, Gareth është shumë i lumtur te Real Madridi. Ai do të qëndrojë në Madrid”, ka thënë përfaqësuesi i ish-lojtarit të Tottenham, duke pretenduar se klienti i tij është tashmë një pikë referimi për “Los Blancos”. “Gareth nuk ka nevojë që Cristiano Ronaldo të largohet nga skuadra, madje tani është një yll i Real Madridit”, shpjegoi ai.
Përfaqësuesi i ndërkombëtarit të Uellsit, gjithashtu, tregoi një moment rreth operacionit që dërgoi Bale te Real Madridi në verën e vitit 2013, pasi klubi i bardhë pagoi më shumë se 100 milionë euro për Tottenhamin. “Më kujtohet stilolapsi që më dha mua Florentino Perez, një zotëri i madh. Ajo që ka rëndësi më shumë është marrëdhënia optimale, që ka lindur me Florentinon”, shtoi ai. Jonathan Barnett, gjithashtu, njoftoi se Bale ishte afër nënshkrimit me një klub italian, të cilin nuk e përmend, kur ai ishte te Tottenham, por shpjegoi se klubi i Londrës së Veriut nuk e pranoi këtë ofertë. “Ai është i lumtur në Madrid. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë shpejt, ju kurrë nuk e dini çfarë do të ndodhë, por unë sinqerisht besoj se asnjë klub italian nuk mund të blejë Bale”, tha agjenti i uellsianit, kur u pyet nëse sheh ndonjë shans që klienti i tij të zbarkojë në Seria A. Në intervistë, Barnett vlerësoi profesionalizmin e klientit të tij, duke e quajtur atë “një shembull për fëmijët, që nuk pi alkool dhe është shumë i vëmendshëm ndaj ushqimit”.

Artikulli paraprak“Problem” arbitri
Artikulli tjetërMurinjo i vë fajin Pogbasë