Bora bllokon akset rrugore në Veri, Tropoja pa energji

Moti i vështirë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar vështirësi në disa akse rrugore në Veri. Në zonën e Pukës, në Qafë Mali, trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra dhe këshillohet të shmangen lëvizjet pa zinxhirë. Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Pukës, aty po punohet për të mbajtur rrugët e hapura, por edhe për të rikthyer energjinë në disa fshatra.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, thotë se aksi Librazhd-Bulqizë është i pakalueshëm, dhe bllokime të herë pas hershme ka edhe në rrugën Shkalla e Lunikut–Steblevë. Aty ku dhe trashësia e borës ka arritur gjysmë metri. Në Dibër dhe në Kukës reshjet po bien prej tri ditësh, dhe në zonat e thella ka bllokime të rrugëve rurale si dhe mungesë energjie. Rruga e “Kombit” mbahet nën kontroll dhe deri më tani nuk paraqet problem qarkullimi në këtë aks.
Probleme nga moti i keq ka pasur edhe në transportin detar. Në Vlorë, era e fortë dhe me dallgë, ka bërë që trageti i linjës Vlorë-Bridizi të dalë nga porti dhe të qëndrojë në radë. Mjetet e peshkimit kanë marrë urdhër të mos dalin në det. Kapiteneria konfirmon se pritet që situata në orët e ardhshme të jetë edhe më e rëndë. Për këtë arsye, mundet që trageti të mos lundrojë drejt Italisë. Ndërkaq forcat detare tërhoqën në Porto Palermo anijen 100 tonëshe të peshkimit “Andi 2”. Ajo shfaqi probleme gjatë lundrimit dhe kishte kërkuar ndihmë. Ekuipazhi nuk pati probleme dhe ankorimi u bë normalisht.

Thuajse i gjithë Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës, që në disa zona arrin deri në 40 centimetra. Sipas informacioneve, aktualisht akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve, dherave skarpateve. Në rrugën e “Kombit”, lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash shkon deri në 10 cm. Një kamion ka dalë nga rruga për shkak të pranisë së madhe të dëborës.
Në disa segmente të kësaj autostrade qarkullimi i automjeteve është vështirësuar, pasi drejtuesit nuk kishin vendosur pajisjet dimërore. Për pastrimin e dëborës përgjatë rrugës së “Kombit” janë në funksion tetë borëpastruese si dhe është përdorur kripë për të lehtësuar qarkullimin dhe shmangur aksidentet nga automjetet. Të bllokuara janë rrugët në disa fshatra, si Lojmë, Arrën, ndërkohë që pa energji elektrike ka mbetur njësia administrative Llugaj në Tropojë.

Izolohen disa fshatra në Librazhd

Moti i keq me reshje bore në disa zona dhe reshje shiu në shumë qytete të tjera të vendit, ka shkaktuar sot situatë problematike. Gjatë orëve të pasdites shumë makina që ishin duke lëvizur në rrugën Prrenjas-Qafë-Thanë u bllokuan për disa minuta nga reshjet e dendura të borës. Mjetet nuk ishin pajisur me zinxhirë dhe u raportua për radhë 1 kilometër të gjatë të automjeteve në Qafë-Thanë. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve, se nuk do të lejohen të qarkullojnë pa zinxhirë përmes Qafë-Thanës.
Trashësia e dëborës në disa zona të thella në Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas i ka kaluar 50 centimetra. Sipas të dhënave nga terreni, rezulton se është e bllokuar rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë nga Klenja, po ashtu të bllokuara rezultojnë edhe disa fshatra si Stëbleva, Polisi Mal, Stravaj, Sopoti, Rrajca. Të gjithë pjesët e akseve nacionale në Qarkun Elbasan janë të hapura. Por rrugët dytësore që lidhin fshatrat e thellë malorë janë të bllokuara.

Artikulli paraprakFieri i përmbytur!
Artikulli tjetërBasha: Hyra në Kosovë menjëherë pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe pasi përfunduam në Hagë padinë e Milosheviçit