Mbledhja e Komisionit parlamentar të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik është zhvilluar mes debateve, pasi në rendin e ditës ishte Ligji i Arsimit të Lartë. Demokratët akuzuan ministren e Arsimit, Lindita Nikolla se iu shmang seancës dëgjimore, pasi në Komision mori pjesë zv/ministri i Arsimit, Ervin Demo. Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi u shpreh se Nikolla ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë, ndërsa tashmë po i shmanget edhe llogaridhënies përpara Kuvendit. “Ministrja për të disatën herë po tallet me Kuvendin, duke shmangur përgjigjet për çështjen kryesore përse ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë, duke mosnxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të Arsimit të Lartë”, u shpreh Vokshi. Vokshi tha se, “për shkak të shpërdorimit të detyrës nga ministrja Nikolla, pedagogët mbetën pa paga dhe të hënën ata u paguan nga tarifat e studentëve, jo se qeveria u bë pjesë e zgjidhjes”. “Me refuzimin për t’u paraqitur në Komision, ministrja Nikolla po pengon rolin kryesor të opozitës, si dhe detyrën kryesore të Kuvendit, kontrollin parlamentar”, tha Albana Vokshi. Vokshi: Çfarë na duhet ne që i thamë eurodeputetëve po ramë dakord dhe sot ministrja e shkel atë rezolutë. Pra, unë ftoj të gjithë deputetët të bashkohen.
Ne do të njoftojmë me një shkrezë zyrtare kryeministrin, presidentin, europarlamentarët, por edhe Trupin Diplomatik në Tiranë. Është shkelur Kushtetuta dhe vazhdon të shkelet nga ministrat. “ Mua më duket e qëllimshme mungesa e vazhdueshme e ministres për të marrë pjesë në komision, duke marrë parasysh që fleksibliteti ynë ka qenë i madh dhe i kuptueshëm për axhendën e saj. Them i qëllimshëm, sepse unë e kuptoj vështirësinë e saj të vijë përpallë këtij komisioni”, tha deputetja Kejdi Mehmetaj. “Jemi në kufijtë e refuzimit nga ana e ministrisë për t’iu përgjigjur Paralmentit”, tha deputeti Luçiano Boçi.