Luçiano BOÇI
Duket e çuditshme, por pas shumë të zezave që ju i keni shkaktuar këtij mileti. Pas varfërisë, papunësisë. Pas brengave, hidhërimeve, Korrupsioneve, aferave e koncesioneve, ju i kthyet më në fund atij qeshjen. Për hir së vërtetës ja kthyet vetëm për një kohë të shkurtër. Megjithëse edhe për këtë, meritoni një falenderim! U desh në fakt vetëm një gjë që kjo të ndodhte. U desh formulari i vetëdeklarimit që njerëzia të gajasej, të shpërthente në të qeshura e të tallej si kurrë më parë. Tani me të zezën tuaj, por përsëri për të zezën e vet. Prandaj, kjo e qeshur ka dhe përcjell një shije disi të hidhur. Komizmi që prodhuat këto ditë nuk do harrohet për një kohë të gjatë. Për këtë të jeni të bindur! Formularët tuaj na ndriçuan, por dhe na errësuan njëkohësisht. Ata na treguan se, Kryeministri ynë ka ngushtuar emrin. “E ka bërë trendy” – do shprehej brezi i ri, i papunësisë moderne, që ju keni qef ta quani gjeneratë tjetër. “I ka hyrë emri në ujë”, thotë populli. E ka bërë nga halli apo nga malli, këtë pritet të na e shpallë ai vetë. Por jo vetëm kaq. Ca kohë sipas dhe asaj që është thënë, u vërtetua se ka qëndruar në Francë. Se kush e solli në Shqipëri, si dhe përse, e kanë thënë të tjerët dhe nuk duket e nevojshme ta them unë. “Për të shpëtuar mëmëdhenë”, apo që shqiptarët të marrin dhenë, nga sytë këmbët, këtë pritet të na e zbardhë, jo si tasin e makaranove dikur, vetë ish-anarkisti snob. Por krahas kryeministrit që e ka qepur emrin e tij, na dolën dhe nga ata deputetë që e kanë shqepur atë. Thënë ndryshe sipas një fjalori të dikurshëm “Janë hapur emrash” krahas mënyrave të tjera të hapjes.
Na i kanë zgjeruar, ose që i kanë ndyshuar muzikalitetin, sepse nuk i rrinte mirë me veshin, por që në fakt, me qëllimin që policia të mos i vinte veshin krimeve të bëra. Formularët na zbuluan se tek ne ka drejtues tuaj që vjedhin, jo thjesht sipas asaj shprehjes: “rrëmbejnë me katër duar”, por kanë grabitur e grabisin dhe me katër emra. Në xhep kanë me siguri dhe disa emra të tjerë. Nuk thonë kot emri i bardhë e i mirë, për ditë të këqija e të vështira. Na treguan, se ju keni përfaqësues tuaj aq profanë e të dlirë sa që nuk i kujtohet pse e ndaloi policia e Mynihut, por ama që kujton mirë, kur mësuesja e klasës së tretë e nxorri jashtë, sepse nuk dinte tabelën e shumëzimit. Formularët dëshmuan akuzat tona, se keni drejtues që janë arrestuar e hetuar në shtete fqinj, për vepra të rënda penale, por që mbrohen, sikur të kishin shkelë rregullat e qarkullimit me biçikleta! Ca të tjerë kanë zhgarravitur në formularë disa çerek të vërteta, për të fshehur aty malin e madh të veprave kriminale. Kurse “më të zgjuarit” kanë zeruar çdo gjë! Kanë vizatuar aty diagonale vizash, për të mbuluar lakueshmërinë e fateve personale, të mbarsura me qindra hije dhe akuza, trafiqe e vepra penale. Te ditura e të njohura botërisht! Shkurt, kanë luajtur dhe njëherë bingon e radhës, sipas parimit “të fortët” nuk vetëdorëzohen dhe as vetëdeklarohen.
Dhe pas gjithë kësaj panorame sa qesharake aq dhe tronditëse, vijnë qëndrimet e K/ministrit. Ai pa galje fare, i gjendur në fundin e honit të skandaleve dhe batakun e korrupsionit galopant, kërkon me qiri gropën e tjetrit, për të shpëtuar aty nderin e humbur me kohë dhe për të na bindur, sikur padija e tij e rreme është baraz pafajësi. Sikur të gjithë ata që akuzohen sot, ja hodhën pa dashje. Sikur ky nuk ka asnjë dijeni për triumvratin kriminal të pushtetit të tij lokal, të cilin ja kemi thënë me qindra herë. Na barazon Palokën e dënuar politikisht nga ai vetë, me Roshin e promovuar nga ai vetë, me të cilin krahas të tjerave na e lidhka dhe data e ndërrimit të emrit. Barazon Albanin që ka shkelur semaforin me makinën e tij, me ata që dërgonin e mbushnin semaforët e Europës me vajzat shqiptare, për të ushqyer fitoren e tij politike. Formularët e bardhë kinse, nuk mund të zbardhin faqen e nxirë të kryeministrit dhe as mund të jenë flamuj që tunden për të bërtitur virgjërinë kriminale të qeverisjes së tij, tashmë të vulosur me simbolin e piraterisë. Zbardhja e këtyre formularëve të bardhë me siguri do zbardhë politikën po jo kryeministrin. Së paku dhe zonja sekretare e përgjithshme e Parlamentit ta kishte zbardhur formularin e saj. Kryeministrin tonë nuk e shpëton asgjë, madje as catcheri i Interforzës! Lajmi që policia politike e shtetit tonë, zotëron një pajisje përgjuese, personalisht për mua nuk bën shumë çudi. Por kjo nuk e bën atë, që të mos konsiderohet si një ndër skandalet më spektakolarë të këtyre viteve demokraci. Në fakt nuk bën çudi, pasi çdo regjim, çfarëdo pamje të ketë ai, si ky në të cilin jetojmë ne, vuan paranojën e armiqve. Ky nuk njeh kundërshtarë politikë. Thjesht dhe vetëm armiq. Armiq të jashtëm dhe të brendshëm! Tek e fundit i duhet t’i mbajë ato nën përgjim. Nuk bën çudi, pasi një qeverisje, e cila mbjell e lulëzon vendin e saj vetëm me kanabis e krim, i duhet të ruajë konkurencën në këtë treg dhe më mirë se përgjimi këtë nuk ja siguron askush. Por mbetet skandal, sepse tregon që shteti këtu është privatizuar. Është privatizuar nga krimi i veshur me pushtetet. Dhe informacioni është pushtet.
Nuk bën çudi se çdo fund, ndez dritat e alarmit dhe angazhon me kuç e me maç, me soj e sorollop, çdo mënyrë e dëshirë për të mbyllur gojën e medias, Për të heshtur shoqërinë civile, Për të vjelur e mjelur biznesin. Shpejt, saktë, pa zhurmë e bujë këtë ja siguron vetëm ai përgjimi, prapa skutave të pajisjeve të paautorizuara. Por mbetet skandal, sepse sot askush nuk e di se çfarë shteti është ngritur dhe si funksionon. Askush nuk e di që telefoni i tij, vendndodhja e tij, fjala e tij mund të bëhën shkaqe të pamenduara për t’i ndryshuar për keq fatin e jetës së tij. Askush nuk e di që nëse krimi përgjon apo përgjohet,
që Presidentin e dëgjon prapa derës Kryeministri, apo që ky i fundit ka për hobi përgjimin e kryetarit të Parlamentit. Sa për opozitën e kryetarin e saj dihet. Telefonat tanë kërcasin 24 orë. Por kjo nuk na impresionon. Ne e dimë që ju do përdorni gjithçka në luftën tuaj gjuetare. Ka 10 ditë që Prokuroria ka kërkuar dorëzimin e pajisjes dhe policia. Dhe ende pajisja vazhdon të fshihet. Përfaqësuesit e ministrisë dhanë dhe japin deklarata tepër kontradiktore. Në fillim e mohuan. Më pas e pohuan pjesërisht. Vendi mbetet akoma i paditur. Ndërkohë ministria mbrohet dhe deklaron se, ajo nuk shkel ligjin dhe nuk përgjon.