Anëtari i KLGJ u kërkon pedagogëve të bëjnë shkrime në revistën e fondacionit të Tahirit

Thellohet skandali në raport me pedagogët. Pas vonesave me pagat, gjuhës së përdorur nga Kryeministri Edi Rama ndaj trupës elitare të sistemit arsimor në vend, reklamës që i bëhet nga dekani i Drejtësisë, revistës “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa” të krijuar nga PS dhe të drejtuar nga Saimir Tahiri, zv. Dekani i këtij fakulteti, përmes e-mail u kërkon trupës pedagogjike të bëjnë shkrime për këtë revistë politike.
Referuar emaile-ve që kanë mbërritur në adresat e pedadogëve, Erjon Muharremaj, që është zgjedhur përmes shortit me gogla si anëtar i KLGJ-së, një prej institucioneve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, kërkon artikuj analitik për revistën “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa”.
Ky fondacion funksionon si pjesë e strukturave të PS-së dhe vetëm pak ditë më parë u mblodh nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa për vite me radhë ai është drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që sot ndodhet nën hetim nga krimet e rënda si i dyshuar në përfshirjen apo favorizimin e Habilajve në trafikun e drogës.
Ja çfarë i përkohet pedagogëve përmes email-it

Revista politike “POLITICUS” Fondacioni “QEMAL STAFA”

Fondacioni “Qemal Stafa” në kuadër të lancimit të Revistës Politike, “POLITICUS”, hap thirrjen për publikimin e artikujve analitik. Për të inkurajuar reflektimin politik, me anë të kësaj thirrje, mirëpresim kontributin tuaj nën temën “Drejt drejtësisë sociale në Shqipëri”.
Drejtësia sociale është një term që rrjedh nga qëllimi për të patur marrëdhënie shoqërore të rregulluara nga ligji, por mbi të gjitha, “e drejta” të zbatohet nga institucionet, duke i vendosur individët në kushte të barabarta.
Aktualisht një sërë hapash po merren nga shteti shqiptar për arritjen e këtij standardi prandaj ajo çfarë pritet nga kjo thirrje është kontributi që mund të ofrohet, duke reflektuar mbi drejtimin dhe trajtimin që duhet t’i bëhet drejtësisë sociale në politikë. Në mënyrë që shteti të hartojë politika sa më të drejta dhe eficente në funksion të këtij qëllimi, idetë dhe opinionet inovatore të akademikëve dhe ekspertëve të fushës duhen promovuar në të gjitha format e mundshme, si një ndihmë dhe vlerë e shtuar për ata që merren me politikbërjen.

Artikulli paraprakSpaho paralajmëron Ramën për pedagogët
Artikulli tjetërKomisioni i MSA: Të ndalohet trajtimi i veçantë i qeveritarëve