Maskat i grabisin 5 milionë lekë pronarit nën kërcënimin e armëve

Dy persona të maskuar dhe të armatosur sulmuan një tregtar në Patok të Kurbinit. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës, ndërsa pre e grabitjes ra shtetasi Idriz Sinani. Ky i fundit ka qenë duke mbyllur lokalin e tij në Lagunë, kur grabitësi i ka drejtuar armën. Në këto kushte, pronari i lokalit është detyruar t’u japë autorëve 5 milionë lekë të vjetra, aq sa dhe kishte në lokal. Më pas, sipas dëshmisë së Sinanit, grabitësit u larguan me makinë në drejtim të autostradës Milot Fushë-Krujë.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar disa persona, banorë të zonës, por pa arritur të vërë në pranga autorët e vërtetë të ngjarjes. Duke ju referuar dinamikës së ngjarjes, policia ka dyshime se grabitësit janë banorë të zonës që e njohin mirë terrenin dhe kanë vepruar sapo lokali është boshatisur nga klientët. Për të rënë në gjurmët e dy grabitësve, policia ngriti disa pika kontrolli, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve.
Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit në fjalë dhe bizneseve aty pranë për të parë nëse autorët apo automjeti i tyre është filmuar, çka do ta ndihmonte grupin hetimor në identifikimin e autorëve.

 

Artikulli paraprakTë shtëna me armë në Lezhë
Artikulli tjetërVrasja e biznesmenit në Tiranë, autorët ende të lirë